Sofje, 24 shkurt – Në Bullgari sot zyrtarisht fillon fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të caktuara për më 26 mars. Fushata zyrtarisht përfundon në mesnatë më 24 mars, kur fillon heshtja zgjedhore. Siç lajmëroi BTA, risi në këto zgjedhje është votimi i obliguar makinerik, për çka vendim solli Gjykata e Lartë Administrative e Bullgarisë. Për zbatimin e votimit makinerik do të nevojiten mbi 12.500 aparate. Zgjedhjet do të mbahen sipas modelit proporcional me votim preferencial në 31 njësi zgjedhore, të cilat varësisht nga madhësia, japin numër të ndryshëm deputetësh. Më e madhja është njësia zgjedhore 24 në rajonin e Sofjes, e cila jep 16 mandate deputetësh. Në garë për 240 vende në Kuvendin popullor bullgar marrin pjesë gjithsej 4.732 kandidatë nga 27 parti dhe koalicione. Sipas anketave të mendimit publik në zgjedhje pritet luftë e paqartë mes partisë Qytetarë për Zhvillim Evropian të Bullgarisë (GERB) e kryeministrit të deri paradokohshëm Bojko Borisov dhe koalicionit të kryesuar nga Partia socialiste bullgare (BSP), të cilët gëzojnë pothuajse mbështetje të barabartë të votuesve. Vende në Parlament pritet të sigurojnë edhe së paku katër parti të tjera apo lista koalicionesh.