FIFA publikon kandidatët për çmimin “Trajneri i Vitit”

Njëri ka fituar Ligën e Kampioneve, ndërsa një tjetër Kampionatin Europian. Por ka edhe prej atyre që kanë kthyer në realitet ëndrrën e një qyteti të tërë. FIFA publikoi dje listën e dhjetë trajnerëve më të mirë të vitit 2016 që do të nderohet me çmimin “The Best FIFA Men’s coach 2016”. Klaudio Ranieri është tekniku i vetëm italian i listës. Përralla me Leiçesterin ka bërë që tekniku italian të renditet mes kandidatëve për të fituar çmimin prestigjioz. Si për të hedhur poshtë hipotezën se trajnerët italianë janë më të mirë, tekniku 65-vjeçar është i vetmi që mban lart krenarinë e teknikëve të vendit fqinj. Në këtë listë spikatin edhe trajnerë, të cilët kanë korrur mjaft sukses në vitin që po mbyllim në pankinat e kombëtareve. Njëri prej tyre është komisari teknik i Uellsit, Kris Koleman. EURO 2016 ka shërbyer si vitrinë edhe për Fernando Santosin dhe Didi Deshampin. Sa i përket votimit, 50% të votave do të vijnë prej një jurie të formuar prej kapitenësh dhe trajnerë kombëtaresh. Ndërsa 50% të votave të tjerë do të jetë fryt i një sondazhi mes tifozëve dhe jurisë të përbërë prej 200 gazetarësh të njohur. Votimet do të mbyllen më datë 22 nëntor, ndërsa emrat e tre finalistëve për çdo kategori (përveç trajnerit të vitit, do ndahet çmim edhe për autorin e golit më të bukur dhe lojtarit më të mirë të vitit) do të bëhen publik më 2 dhjetor. Ceremonia ku do të jepen çmimet, e cila është “pagëzuar” me emrin “Best FIFA Football Awards”, do të mbahet më 9 janar 2017.