Më datën 19.01.2017, rreth orës 13:00, ka hyrë në ambientet të Zyrës së Pritjes së Qytetarëve në Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, shtetasi M.S, 57 vjeç, banues në Levan, Fier dhe pa komunikuar me personelin e shërbimit, ka tentuar të djegë veten me benzinë. Falë ndërhyrjes së shpejtë të Shefit të Sektorit të SHÇBA, dhe personelit të zyrës së shërbimit të qytetarëve u bë e mundur fikja në kohë e flakëve duke shpëtuar kështu jetën e këtij shtetasi, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Fier nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën. Lidhur me këtë ngjarje ju sqarojmë se bashkëshortja e shtetasit të lartpërmendur, më datën 20.09.2016 ka kallëzuar pranë DVP Fier se në vitin 2014 i është larguar vajza nga banesa dhe dyshon se mund të shfrytëzohet për prostitucion jashtë shtetit. Për këtë kallëzim janë kryer të gjitha veprimet procedurale si nga ana e policisë ashtu edhe nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier. Për ngjarjen e ndodhur sot, janë duke u kryer të gjitha veprimet procedurale dhe hetimore nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.