Armando Sadiku shënon, prek barin e fushës dhe e lëshon në një mënyrë të çuditshme. Nuk është hera e parë që sulmuesi i Kombëtares shqiptare e bën një festim të tillë, sepse thuajse të gjithë golat e shënuar me Luganon i ka festuar në këtë mënyrë. Por, çfarë është ky festim interesat dhe nga e gjen frymëzimin bomberi shqiptar.
Për herë të parë e ka bërë kuzhinieri i famshëm turk Nusret Gëkçe, i cili është pronar i dy lokaleve të famshëm në Turqi dhe në Dubai, të cilët quhen “Nusr-Et”. Gëkçe postoi një video në rrjetet sociale pak kohë më parë duke gatuar dhe mënyra se si i hidhte kripë mishit ishte shumë interesante.
Një video që bëri xhiron e botës dhe të rrjeteve sociale, ku kuzhinieri i famshëm turk arriti të merrte famë të jashtëzakonshme. Mënyra se si ai i hedh kripë mishit u shndërrua në një traditë edhe për botën e sportit, që e përqafoi menjëherë këtë mënyrë të çuditshme dhe interesante festimi.
Nuk është vetëm Armando Sadiku ai që feston në këtë mënyrë, por edhe lojtarë të tjerë të rëndësishëm si Dani Uellbek dhe Hakan Xhalhanoglu, Elia dhe shumë të tjerë. Ky lloj festimi, apo ky lloj veprimi quhet “Salt Bae”.
Ndërkohë, thuajse të gjithë personazhet e njohur të sportit dhe të artit kanë qenë njëherë në restorantin e tij në Dubai dhe kanë postuar foto me kuzhinierin e famshëm dhe të njohur për gatimin e mishit. Në restorantin e tij kanë qenë prezentë futbollistët si Ozil, Van Persi, ish-lojtarët Roberto Karlos, Davids dhe shumë të tjerë. Mes tyre, ka qenë edhe ish-futbollisti i Tiranës dhe Partizanit, Fatmir Hysenbelliu. Ai ka postuar një foto në profilin e tij të “Instagram”- it i shoqëruar nga ish-lojtari i Lacios dhe aktualisht i Gallatasarajit Kavanda.