Një çift australian është gjobitur me një total prej 80 mijë dollarësh nga inspektorët e mjedisit kur panë gjendjen e tmerrshme të kafshëve të strehuara në fermën e tyre. Inspektorët thanë se një gjë të tillë nuk e kishin parë kurrë me sy.
Melissa Sykes dhe Patrick Lawson i kishin lënë kafshët në gjendje të mjerueshme dhe madje në fermën e tyre u gjetën edhe trupa të dekompozuar kafshësh. Inspektorët e mjedisit gjetën 14 qen të uritur dhe etur për ujë. Tre prej tyre ishin të lidhur me zinxhirë pas një peme dhe ndodheshin në gjendje kritike për jetën. Ndërkohë, 10 kuajt që u gjetën në fermë nuk ishin ushqyer siç duhet.
“Rreth banesës dhe fermës, ne gjetëm kafshë të dekompozuara, përfshi këtu dele, kuaj, pula e të tjerë. Çifti tha se nuk kishte pasur ushqim të mjaftueshëm për kafshët dhe kjo ishte arsyeja se pse kafshët e mbijetuara ishin në një gjendje kaq kritike”, u shprehën inspektorët.
Veterinarët thanë se dy prej kuajve të mbijetuar ishin shtatzënë dhe të tjerët vuanin nga infeksionet dhe parazitët. Të gjitha kafshët u morën nën kujdestarinë e inspektorëve, të cilët po kurohen, ushqehen dhe strehohen në kushte të mira.