Njëvjeçarja Marwa është quajtur fëmija i mrekullisë, pasi u zgjua nga koma pak sekonda para se mjekët të fiknin aparatin që e mbante në jetë. E shtruar në spital që në muajin shtator, vogëlushja algjeriane ndodhej në gjendje kome pas një virusi të rëndë që i kishte shkaktuar çrregullime të rënda neurologjike. Kundër dëshirës së prindërve, mjekët, duke e cilësuar terapinë që po ndiqej ndaj vogëlushes si shumë agresive, kishin vendosur të fiknin aparaturat që e mbanin atë në jetë. Të dëshpëruar, prindërit e 1-vjeçares kishin nisur një peticion në Facebook: ‘Jo pa Marwa’, me qëllim mbledhjen e fondeve për të anuluar vendimin e mjekëve. Me më tepër se 70 mijë firma, gjykata vendosi në favor të “zgjatjes së kujdesit mjekësor”, në spitalin La Timone, Marsejë, edhe për dy muaj, Por mjekët këmbëngulnin se do të luftonin për të fikur aparaturën që mbante në jetë vogëlushen të sëmurë shumë rëndë, duke argumentuar se ajo nuk do të ishte kurrë në gjendje të ecte, të hante apo të merrte frymë vetë. Vetëm 10 ditë më vonë Marwa u zgjua nga koma. Në videon e shpërndarë në Facebook nga babai i saj, shihet reagimi i vogëlushes ndaj zërit të tij, duke buzëqeshur. “Trajtimi i saj vijon, por ne shohim progres të përditshëm dhe kemi shumë shpresë se do të përmirësohet. Kur i flas, ajo e dëgjon zërin tim, reagon, ndonjëherë qesh”, shprehet babai i vajzës.