Tenisti zviceran Roger Federer ka fituar sot për të 8-n herë grand slemin e Wimbledonit, pas fitores 3-0 në finale ndaj rivalit kroat Marin Cilic (6-3, 6-1, 6-4). Një ndeshje finale që pritej më e fortë, por që u dominua dhe fitua me meritë nga legjenda Federer, që në moshën 35-vjeçare fiton grand slemin nr.19 në karrierë, si askush tjetër në histori. Wimbledoni është turneu i preferuar i zviceranit, që në fushat me bar konfirmohet “mbret”, duke mos falur edhe këtë vit dhe mposhtur një Cilic në vështirësi dhe me probleme fizike. Gjithsesi, këto detaje nuk mund t’ia ulin vlerën një ikone si Federer, që në këtë turne nuk humbi asnjë set dhe ngriti lart me meritë trofeun e këtij aktiviteti, duke magjepsur sërish fansat me lojën e tij. Roger bëhet tenisti që e ka fituar më shumë se kushdo këtë turne.
Ndeshja nis me rivalitet në pikët e para, por pas barazimit 2-2 është Federer që merr komandën dhe fiton një “game” me shërbimin e kundërshtarit. Këtë avantazh zvicerani e ruan deri në fund dhe fiton pa shumë probleme 6-3 setin e parë. Në setin e dytë është sërish Federer ai që ka komandën dhe përfiton nga gabimet e Cilic për t’u shkëputur 3-0. Në këtë moment, kroati thërret trajnerin e tij, ka probleme dhe mezi luan, madje shihen lot në sytë e tij. Për një moment u mendua se ai do ta braktiste ndeshjen, por falë mbështetjes së fansave ai kthehet në fushë. Por Federer nuk toleron dhe fiton lehtësisht 6-1 setin e dytë.
Me nisjen e setit të tretë sërish Cilic kërkon ndihmën e stafit mjekësor, që i fashojnë këmbën e majtë dhe loja rinis normalisht. Rivalitet deri në barazimin 3-3, çast kur Federer fiton “game” me topat e Cilic, shkëputet 5-3 dhe fiton 6-4, duke nisur festën e merituar para fansave. Zvicerani e fiton këtë turne pas 5 vitesh (hera e fundit në vitin 2012) dhe 14 vjet pas herës së parë (viti 2003). Ky është grand slemi i dytë sezonal fituar nga Federer, që në janar triumfoi edhe në Australian Open, duke treguar se pavarësisht moshës është një legjendë, duke zhvilluar një sezon fantastik deri më tani. Madje ai mund të pretendojë kreun e renditjes botërore në fund të këtij viti, duke parë problemet fizike që kanë rivalët e tij Murray e Djokovic dhe eliminimit të Nadal nga ky turne.