Shkup, 6 korrik – Nga Ministria e Financave informojnë se kanë bërë ndryshim të strukturës së ueb-faqes së tyre për transparencë më të madhe të financave publike. “Me qëllim që të përmirësohet transparenca dhe llogaridhënia e financave publike, në internet faqen zyrtare është shtuar një sektor i posaçëm ‘Statistika’, në të cilin janë lehtësisht të kapshme të gjitha informatat më të rëndësishme siç janë kryerja e Buxhetit, borxhi publik dhe borxhi i shtetit, indikatorët makroekonomik dhe shtesa statistikore”, ceket në kumtesën e MF-së. Ndryshimi më i rëndësishëm, siç theksojnë, është fillimi i publikimit të të dhënave të cilat deri më tani nuk kanë qenë të kapshme për opinionin. “E dhëna e parë e tillë është Raporti për të hyrat dhe të dalat mujore të shfrytëzuesve të ndryshëm buxhetor. me të opinioni çdo muaj do të ketë qasje në gjendjen e të gjithë shfrytëzuesve buxhetor në veçanti”, shtohet në kumtesë. Për lehtësimin e punës shkencoro-hulumtuese të opinionit ekspert dhe gazetarëve, siç cekin nga Ministria e Financave, të gjitha të dhënat prej tani do të publikohen në Eksel format të hapur, në vend të pdf-së.