Urim HASIPI
Tetovë, 21 qershor – Omeri tre vjeçar dhe Vullneti një vjeçar, janë dy vëllezër që nuk rriten normalisht si fëmijët tjerë të botës. Atyre u mungon pothuajse çdo gjë elementare dhe e nevojshme për moshën e tyre, shkruan gazeta KOHA. Shpesh herë, edhe një copë bukë u mungon në tryezë, ndërsa ajo që e ka më vështirë për ta përballuar këtë situatë, është nëna e tyre Medina nga Gostivari që kohëve të fundit jeton në Tetovë. Medina Ahmedi, bashkë me dy fëmijët dhe burrin e sëmurë nga veshkat, ka kohë që nuk jeton në fshatin Gradec, por jeton në banesë me qira. Në shtëpinë ku kanë jetuar, nuk kanë pasur asnjë kusht elementar. Mirëpo, kur sheh dy fëmijët që kërkojnë vetëm bukë dhe qumësht, ajo nuk përmbahet dot nga lotët.
“Para një viti kemi jetuar në fshatin Gradec. Atje kemi jetuar në një dhomë, e cila nuk ka kushte për të jetuar. Gati se një vit jetojmë me qira në Tetovë, por deri më tash qiranë na e kanë paguar të tjerët. Tani e tutje nuk kemi se ku të jetojmë, do të ngelim në rrugë. Burri është i sëmurë nga veshkat, ndonjëherë punon, por më shumë është i sëmurë se sa i shëndoshë. Kur është mirë, ai punon, por shumë rrallë, nuk mund të kryejë punë të rëndë”, thotë për KOHA Medina.
Ndonëse është e re në moshë, fati e deshi që të rrisë këta dy fëmijë. Ajo nuk përmbahet dot nga emocionet. E ka vështirë që ndodhet në këtë situatë të palakmueshme për të kërkuar ndihmë. Medina tregon se nga shteti marrin një ndihmë rreth 50 euro, e cila ndihmë nuk mjafton as për gjërat e nevojshme. “Ndonjëherë u kam dhënë edhe bukë me afat të skaduar dhe kur i kam dërguar në spital mjekët, kanë thënë se kanë marrë helmim. Nuk kam guxuar të tregoj se si i ushqej këta fëmijë, por kjo mund të ndodh sërish. Fëmijët shpesh herë gjatë tërë ditës nuk kanë se çka të hanë”, thotë ajo. Medina kërkon që të ndërtojë një shtëpi të vogël, por edhe kërkojnë lëmoshë për të mbijetuar në këto ditët e rënda të varfërisë. “Nuk kemi as tokë se ku do ta ndërtojmë shtëpinë. Edhe nëse e gjejmë tokën, apo nëse na fal dikush, atëherë sërish nuk kemi mundësi që të ndërtojmë shtëpi. Prandaj, çdo ndihmë për ne është e mirëseardhur, sepse nuk kemi thjeshtë të jetojmë si njerëz normal. Shpesh herë edhe shtrihemi në rrugë me fëmijët, sepse si t’i kthejë në shtëpi kur nuk kam se çka t’u ofrojë për ushqim”, sqaron gjendjen e saj nëna e dy fëmijëve të vegjël.
Ajo shpreson në ndonjë ndihmë eventuale nga popullata vendore për të kaluar ditët e rëndë, të cilët i përjeton ajo. Medina bashkë me këta dy fëmijë jeton ditët më të vështira të jetës së saj, kurse çdo ndihmë në adresë të saj është e mirëseardhur. Ajo u ka bërë thirrje të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë që kanë mundësi t’i ndihmojnë si për banim ashtu edhe për ushqim. Të gjithë ata që kanë mundësi për ta ndihmuar, mund të paraqiten në numrin e telefonit 071 970 424. (koha.mk)