Fakulteti i Arteve i Universitetit të Tetovës e përmbylli semestrin veror me një koncert me muzikë vokale-instrumentale të përgatitur nga studentët e programit studimor të Artit muzikor. Në këtë koncert morën pjesë profesorë dhe studentë të Universitetit të Tetovës. Shefi i programit studimor të Artit muzikor prof. mr. Bajramali Idrizi tha se departamenti që ai drejton, vite me radhë, dy here në vit organizon koncerte me muzikë vokale instrumentale.
“Ne në çdo përmbyllje të semestrit organizojmë nga një koncert bashkë me studentët tanë, një me rastin e përmbylljes së ligjëratave të semestrit dimëror dhe një me përmbylljen e semestrit veror. Organizimi i këtyre koncerteve ka për qëllim që studentëve t’ua mundësojë që të dalin përpara publikut dhe të performojnë, qoftë në këndim, apo të luajnë me instrumente të ndryshme muzikore”, tha Idrizi.
Koncerti filloi me Korin e Universitetit të Tetovës, me dirigjent prof. mr. Arifikmet Xhemaili, ku u interpetuan këngët: “Tramobilat” të Lorenc Antonit, “Shkoni Krushqi” e Drinor Zymberit, “Çamëria” e Rauf Dhomit dhe “Kroi i fshatit tonë” e Kristo Konos dhe Isak Shehut. Gjithashtu, në këtë koncert u interpretuan edhe disa pika muzikore nga studentët: Nita Reçi, Rezona Abdi, Enalda Shehu, Sara Sinani, Ilire Ismajli, Funda Ali, Blerta Shehu, Endrit Ahmeti, Valentina Aliti, Ardita Osmani, Gresa Memeti, Zana Zumeri, Arbëresha Ademi dhe Arlind Pajaziti.