Forcat paqeruajtëse të Bashkimit Evropian (EUFOR) në BeH i kanë paralajmëruar liderët vendas se janë të gatshëm që në afat të shkurtër të intervenojnë nëse vjen deri në përleshje në BeH, transmeton portali i Sarajevës Kliks. “Shumë gjëra janë arritur, por shumë edhe mund të humben”, deklaroi komandanti i EUFOR-it në BeH, gjeneral-majori Anton Valdner.
EUFOR në BeH ka të sistemuar 800 ushtarë. Valdner theksoi se liderët politikë e kanë çelësin më të fuqishëm në duart e tyre, dhe se EUFOR-i akoma e ka të drejtën që në periudhë shumë të shkurtër ta rrisë numrin e ushtarëve në hapësirat e BeH-së.
“Nuk do të përmbahem që t’i ftoj forcat rezerviste nëse kjo nevojitet”, theksoi Valdner. Shefi i ri i operacioneve të EUFOR-it, gjenerali Xhejms Eduard deklaroi se ekziston lojë me ndikim të jashtëm në rajonin më të gjerë të Ballkanit Perëndimor dhe se në rastin e BeH-së, këto lojëra mund të ndikojnë në progresin e vendit.