Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në një intervistë për CNN International, ka bërë vlerësime mbi situatën e fundit në vend dhe më gjerë, raporton Anadolu Agency (AA).
“Qëndrimi aktual dhe këndvështrimi i Trumpit na gëzon. Besoj se në takimin tonë dypalësh për përcaktimin e rrugës sonë, mund të shohim që dy vendet si partnerë dhe aleatë strategjikë dhe si dy vende të rëndësishme në NATO, kanë për të bërë dhe mund të bëjnë shumë”, ka thënë Presidenti Erdogan në fjalën e tij.
Pyetjes së gazetarit mbi telefonatën e urimit për referendumin, Presidenti i Turqisë, iu përgjigj: “Ky ishte një urim dhe veçanërisht telefonata e tij gjatë festimit të Pashkëve mua më gëzoi. Ndërkohë që më uroi për këtë sukses, të dy gjetëm mundësinë të flasim për zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, çështjen e Sirisë, etj. Gjatë kësaj bisede vura theksin tek rëndësia e një takimi kokë më kokë për të parë mundësitë e avancimit më tej të marrëdhënieve Turqi-SHBA dhe për këtë ramë dakord. Mendoj që brenda një kohe të shkurtër do të kemi një takim të tillë.”
Duke vënë në dukje se Trump i ka dhënë urdhër protokollit të tij për takimin dhe se edhe ai vetë ka urdhëruar protokollin të merret me këtë gjë, Erdogan pyetjes nëse do të zgjerojnë ose jo bashkëpunimin me SHBA-në në Siri, iu përgjigj se i ka përcjellë homologut amerikan shqetësimet e tij në këtë drejtim duke i theksuar se një organizatë terroriste si DEASH-i nuk mund të mposhtet duke bashkëpunuar me një tjetër organizatë terroriste. Ai ka përsëritur edhe qëndrimin e Turqisë të përcjellë SHBA-së përmes drejtorit të CIA-s dhe sekretarit Amerikan të Shtetit gjatë vizitës së tyre në këtë vend.