Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan muajin e ardhshëm, para mbajtjes së samtit të NATO-s, do të takohet me homologun e tij amerikan Donald Tramp, deklaroi sot ministri turk i Punëve të Jashtme Mevlut Çavushoglu. Burime nga kabineti i Erdoganit dje njoftuan se Tramp në telefon e ka kërkuar presidentin turk dhe “ia ka uruar fitoren në referendum”.
Erdogan në një intervistë për Siç-En-En shprehu kënaqësinë nga urimi i Trampit me rastin e rezultateve nga referendumi. “Është mirë, por edhe më mirë do të ishte të takohemi drejtpërdrejt dhe të përmirësojmë bashkëpunimin tonë. Më pëlqen Trampi, hapat e tij më bëjnë të lumtur. Ne jemi aleatë dhe besojmë se mund të zgjidhim shumë probleme”, tha Erdogan.