Kujtimi i tragjedisë ajrore që goditi një ekip të tërë, atë të Chapecoense, është edhe i gjallë në mendjet dhe kujtimet e të gjithëve, por më së shumti në mendjet e atyre pak të shpëtuarve, në kujtimet e familjarëve dhe miqve të viktimave, sikurse dhe të atyre që dolën të parët vullnetarë dhe shkuan në vendngjarje me shpresën për të shpëtuar jetë. Pikërisht mes këtyre heronjve në atë mement të tmerrshëm ishte edhe një 15-vjeçar. Johan Ramirez u shpërblye sot nga autoritetet lokale me një shtëpi të re, për kontributin e dhënë në ato momente të vështira.
Djaloshi jetonte me familjen e tij në afërsi të vendit ku ndodhi përplasja dhe bashkë me babain e tij ishte mes të parëve që arriti në vendngjarjen e tragjedisë. Duke shfrytëzuar njohjet e tyre mbi territorin, të dy ata kanë ndihmuar më pas edhe grupet e shpëtimit që të gjenin shtigje të kalueshme për të bërë të mundur gjetjen e trupave dhe transportimin e tyre. Është edhe falë tyre që ata gjashtë të shpëtuar mund të tregojnë sot atë eksperiencë të tmerrshme. Johan jetonte në një barrakë në malin e La Union, por autoritetet lokale kanë vendosur të shpërblejnë atë dhe familjen e tij me një shtëpi të re, me ngjyrë të theksuar të gjelbër në nder të klubit të pafat.