Java e 15-të e Kategorisë Superiore e ngriti siparin dje, me ndeshjen Teuta-Skënderbeu 0-0. Skuadrat ndanë nga një pikë, ndërkohë që kampionët në fuqi u dhanë shansin verilindorëve të Ernest Gjokës për të kapur kreun të vetëm. Kukësi priti në fushën e vet vlonjatët, ndaj të cilëve “i dha gaz” që në minutën e parë, duke e kërkuar golin e zhbllokimit me çdo kusht. Pas disa aksioneve radhazi, në minutën e 23-të, Izair Emini mposht portierin kuqezi. Frashëri, pasi ka bërë dy pritje shpëtimtare më herët, kësaj here është i detyruar ta nxjerrë topin nga rrjeta e tij. Mundohet të reagojë skuadra mike, përmes aksioneve graduale e me shumë pasime, por pa sukses në pjesën e parë. Telushi në dy raste ka vënë në provë aftësitë e Enea Koliqit, i cili është bërë shpëtimtar për të tijtë. Pjesa e dytë nis me një “marrsh” tjetër për bregdetarët. Ata përpiqen të barazojnë rezultatin, por janë shumë të lexueshëm në veprime, ndërsa goditjet drejt portës kuksiane nuk kanë shënjestrën e duhur. Nuk harron skuadra e Gjokës të kundërsulmojë, duke i dhënë mundësinë portierit Frashëri të spikasë sërish në këtë ndeshje. Vendësit janë më të kujdesshëm, por e kërkojnë edhe golin e dytë e të sigurisë. Alvesh trondit portën vendëse në minutën e 70-të, me një goditje ballore. Koliqi reagon me vështirësi, por ndalon një rrezik shumë të madh. Minutat kalojnë nën këmbënguljen e kuqezinjve të Mezanit, por pa barazuar dot. Mbetet tabu “Zeqir Ymeri” për Flamurtarin, i cili mbetet në kuotën e 13 pikëve. Kukësi merr kreun i vetëm, me 31 pikë, dy të tilla më shumë se Skënderbeu. Skuadra verilindore, po ashtu, mbetet e vetmja në Superiore, që nuk e njeh humbjen në këtë kampionat.