Ka përfunduar sezoni vjeshtor në Superligën e Shqipërisë, ku skuadra e Kukësit u shpall kampion vjeshtor. Në ndeshjen e fundit, Kukësi luajti baras 2:2 ndaj Luftëtarit, ndërsa autor i një goli për Kukësin ishte sulmuesi tetovar Izair Emini. Dy ditë pas ndeshjes Emini është shprehur i lumtur për golin e shënuar, por njëkohësisht i vjen keq për lënien e dy pikëve. Derisa, thotë se golin ia ka dedikua djalit dhe bashkëshortes së tij. “Jam i kënaqur për golin që shënova, por më vjen keq që e pësuam në minutat e fundit. Ndihem vërtet keq, pasi isha i bindur se do të fitonim pasi kaluam në avantazh. Tashmë duhet të pajtohemi me këtë fakt, pasi gjithçka ka përfunduar. Golin ia dedikoj djalit dhe bashkëshortes sime në Maqedoni. Besoj se do të iki i qetë me pushime, pasi e mbyllëm në vend të parë”, deklaroi Emini pas sfidës. Me 36 pikë, një më shumë se Partizani, Kukësi do të dimërojë në pozitën e parë të sezonit vjeshtor, ndërsa për Eminin ky ishte goli i pestë në fanellën e Kukësit. (koha.mk)