Izair Emini dhe Nijas Lena do të dimërojnë në pozitën e parë në Superligën e Shqipërisë. Skuadra e dy futbollistëve nga Maqedonia, njëri nga Tetova dhe tjetri nga Struga, të dielën ka mundur me rezultatin 2:0 kampionin aktual Skënderbeu, duke u ngjitur në pozitën e parë në tabelën e klasifikimit me 35-së pikë të grumbulluara, tre më shumë se Partizani i Tiranës në pozitën e dytë. Pavarësisht se në fundjavë do të zhvillohet edhe xhiroja e fundit e sezonit vjeshtor, Kukësi nuk rrezikon pozitën e parë në tabelë, ndërsa në mesjavë ata do të jenë mysafir i Luftëtarit. Ndryshe, Emini dhe Lena për gazetën KOHA janë shprehur të kënaqur me fitoren ndaj Skënderbeut dhe faktin se skuadra e tyre u shpall kampion vjeshtor.
“Normalisht se jemi të kënaqur shumë si unë, poashtu edhe shokët e skuadrës me faktin se u shpallëm kampion vjeshtor. Të them të drejtën e kemi pritur këtë, pasi prej fillimit të kampionatit, objektivin e kemi pas të qartë që të ‘luftojmë’ për titullin kampion. Me këtë e kemi kryer gjysmën e punës, ndërsa gjysma tjetër shpresoj të shkoj kështu deri në fund”, u shpreh Emini. Ai shprehet i kënaqur me paraqitjet e tij dhe golat që i ka shënuar. “Jam i kënaqur me paraqitjet e mia, pasi kam arritur të ndihmoj ekipin me golat e mi, atëherë kur kishte më shumë nevojë. Kam shënuar katër gola, nuk janë të shumtë por janë me vlerë”, përfundoi ish-futbollisti i Renovës, të cilit kontrata me Kukësin i skadon në verë.
Derisa, Lena thotë se fitorja ndaj kampionit është një fitore që të kënaq. “Kur fiton kundër ekipit që aktualisht është kampion dhe njëkohësisht rivali direkt për titullin e kampionit, kënaqësia është evidente. Objektivi i klubit që në fillim ishte kreu i tabelës. Deri diku e prisja, po jo pa asnjë humbje në 17-të ndeshje”, shprehet për KOHA, strugani, i cili është i kënaqur nga forma e tij, ndërsa njëjtë sikurse Eminit, kontrata me Kukësin i skadon në përfundim të sezonit, por thekson se në futboll gjithçka mund të ndodh. “Them se kam arritur formën time më të mirë. Gjithsesi ka vend akoma për të përmirësuar. Me Kukësin kam kontratë deri në fund të sezonit, por në futboll gjithçka mund të ndodh”, përfundoi Lena, i cili skuadrës verilindore iu bashkëngjit nga radhët e Teutës. (koha.mk)