Shkup, 19 janar – Një ditë pasi Banka Evropiane për Ripërtëritje dhe Zhvillim anuloi kredinë me vlerë prej 65 milionë euro të dedikuar për ndërtimin e Urës së Boshkut, ELEM insiston se HEC Ura e Boshkut, është projekt i rëndësishëm energjetik, sepse siç thuhet në komunikatë,projekti në fjalë do të kontribuojë për rritjen e prodhimit vendas të energjisë elektrike dhe do ta pasurojë portofolion e burimeve ripërtëritëse në Republikën e Maqedonisë. Në suaza të aktiviteteve zhvillimore të projektit, theksoi ELEM në kumtesën e sotme, është përgatitur dokumentacioni i plotë lidhur me mbrojtjen e mjedisit të jetesës në pajtim me ligjet e Republikës së Maqedonisë, politikat e BE-së lidhur me mbrojtjen e mjedisit të jetesës, si dhe politikat për mbrojtjen e mjedisit të jetesës së BERZH-it. “Në kuadër të studimit për vlerësim të ndikimit mbi mjedisin e jetesës (SVNMJ) është bërë analizë e ndikimit mbi mjedisin e jetesës dhe biodiversitetit, duke i përfshirë gjitarët e mëdhenj, ndërsa me atë edhe rrëqebullin ballkanik. Në bazë të atyre analizave janë paraparë masa për evitimin apo uljen e ndikimit nga ndërtimi dhe puna e sistemit hidroenergjetik mbi biodiversitetin”, thonë nga SHA ELEM, duke potencuar se ELEM, si kompani shoqërore përgjegjëse, e shtyu realizimin e projektit në pajtim me rekomandimet e Konventës së Bernit. “Nga njohuritë e deritanishme lidhur me rastin e hapur në Konventën e Bernit, projekti Ura e Boshkut nuk do të ketë ndikim mbi popullsinë e rrëqebullit të Ballkanit. Në të kundërtën, masat për uljen e ndikimit të projektit të cilat janë paraparë në dokumentacionin e plotë për mbrojtjen e mjedisit të jetesës dhe biodiversitetit përfshijnë aktivitete të cilat janë në drejtim të ruajtjes dhe përmirësimit të statusit të rrëqebullit të Ballkanit”, thonë nga ELEM-i, duke përkujtuar se në fazën e deritanishme të realizimit të aktiviteteve zhvillimore për projektin HEC Ura e Boshkut, ELEM nuk kishte nevojë nga tërheqja e mjeteve të linjës kreditore të BERZH. “Pas përfundimit të periudhës 5-vjeçare të vlerës së marrëveshjes për kreditim të projektit, ripërtëritja e tij do të thoshte implikime të mëdha financiare lidhur me mirëmbajtjen e linjës kreditore. SHA ELEM vazhdon me aktivitetet projektuese-teknike për projektin “Ura e Boshkut” në pajtim me politikat e tij zhvillimore, që do të kontribuojë për përgatitjen e platformës për krijimin e vendimeve të mëtutjeshme investuese”, potencojnë nga SHA ELEM. Ndryshe, dje me deklaratë me shkrim deri te mediat Banka Evropiane për Ripërtëritje dhe Zhvillim kumtoi se kredia e EBOR-it ishte e qasshme pesë vite dhe se shfrytëzimi i saj skadoi pasi nuk janë plotësuar kushtet për realizimin e saj. Deri tani, siç qëndron në deklaratën me shkrim të Bankës, nuk ka kurrfarë transferime të mjeteve për këtë projekt dhe kredia është anuluar. Hidrocentrali Ura e Boshkut, ELEM duhej ta ndërtojë në Parkun nacional Mavrovë. Lejen ekologjike, Ministria e Ambientit të Jetesës dhe Planifikimit Hapësinor e ka dhënë në vitin 2012. Reagime për realizimin e këtij projekti kishte nga shoqatat ekologjike.