Shkup, 10 janar – Me aktualizimin e temës për analizën e Marrëveshjes së Ohrit, zëvendëskryeministri Festim Halili ka angazhuar ekspertë të jashtëm, të cilët rishikojnë dhe mbikëqyrin të gjitha procedurat e Prokurimit publik dhe do të kërkojnë informacione shtesë nga vetë kompania fituese – firma tregtare “TDS Kioski” nga Tetova, që ka marrë përsipër realizimin e analizës dhe konferencës që rrjedh nga kjo analizë. “Me aktualizimin e temës për analizën e Marrëveshjes së Ohrit, zëvendëskryeministri Festim Halili ka angazhuar ekspertë të jashtëm, të cilët rishikojnë dhe mbikëqyrin të gjitha procedurat e Prokurimit publik dhe do të kërkojnë informacione shtesë nga vetë kompania fituese, që ka marrë përsipër realizimin e analizës dhe konferencës që rrjedh nga kjo analizë. Marrëveshja e Ohrit është dokument tejet i rëndësishëm për vendin tonë, dhe si të tillë, ne angazhohemi që analizat vjetore, raportimet dhe konferencat kushtuar këtij dokumenti të mbajnë korrektësinë dhe seriozitetin e duhur. Sekretariati për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit do të mbetet i përkushtuar dhe i gatshëm të përcjellë çdo informacion që do të sillet nga institucioni ynë”, thuhet në komunikatën e kabinetit të zëvendëskryeministrit Halili.