Laura PAPRANIKU
Shkup, 9 maj – Shkollat assesi të largojnë nga vetja tisin e dyshimit që i mbështjell sa herë që hyn paraja mes tyre dhe nxënësve. Kur janë në pyetje aktivitetet jashtë shkollore, si organizimi i ekskursioneve të ndryshme, mbrëmjeve të maturës apo fotografimi për tabelën e shkollës, jo pa arsye krijohet një atmosferë e rëndë dyshimi se një grup i caktuar njerëzish në shkollë bëjnë me këtë rast edhe pak “biznes”, sa për të mbuluar disa shpenzime shtesë, të planifikuara mbase që në fillim të vitit shkollor, shkruan gazeta KOHA. Arsyet për dyshime të këtilla, sikurse vërejnë nga Unioni i Nxënësve Shqiptarë të Shkollave të Mesme (UNSHM) janë të shumta, ndërsa burimin e kanë te mungesa e transparencës financiare.
“Nuk duhet asnjëherë se ku përfundojnë të gjitha të hollat që u kërkohen nxënësve, sidomos kur i dërgojnë nëpër ekskursione”, pohon Majlinda Çilafi, kryetare e UNSHM-së, ndërsa vëren se çdo herë vendimet për vendin e ekskursionit e cakton drejtoria e shkollës. Për këtë rast, shpesh herë, plotëson më tej Çilafi, ka pakënaqësi nga ana e nxënësve dhe prindërve të tyre. Kjo situatë, thotë ajo, përsëritet fatkeqësisht çdo vit, kurse “shuma e të hollave që paguajnë nxënësit nuk korrespondon me atë çfarë harxhohet për nxënësit gjatë ekskursionit”, nënvizon ajo.
Zakonisht, në pagesën që bëjnë nxënësit, sikurse tregon kryetarja e UNSHM-së, hyn edhe pagesa për mësimdhënësit si dhe për ndonjë nxënës që vjen nga familje me status të rrezikuar social. Por, edhe përskaj këtyre kalkulimeve, Çilafi thotë se janë edhe një pjesë tjetër e parave të cilat nuk dihet se ku përfundojnë. Jo më larg se më 18 prill shumë shkolla të mesme të Shkupit organizuan ekskursion një ditor në Strugë. Mirëpo, ajo që ra në sy ishte se nxënësit e disa shkollave të mesme, si “Cvetan Dimov”, apo “Pançe Karagjozov”, paguan nga 450 denarë, ndërsa nxënësit e Shkollës së mesme “Arseni Jovkov” nga 600 denarë. Si të parët ashtu edhe të dytët, në këtë çmim kishin vetëm pagesën e rrugës Shkup-Struge dhe anasjelltas dhe asgjë më shumë. Variacione çmimesh ka edhe për ekskursionet disa ditore që shkollat organizojnë me nxënësit e viteve të treta dhe për mbrëmjet e maturës. Sot e kësaj dite mungon një pagesë e unifikuar konform ofertave të njëjta. Për pesë ditë ekskursion në Shqipëri, për shembull, dikush paguan 180 euro, dikush tjetër 210 euro. Ose për të njëjtin qëllim, disa shkolla i dërgojnë nxënësit në Turqi, disa të tjera në Rumani. Problemi është se shkollave u mungon krejtësisht transparenca financiare dhe se përjashtojnë nxënësit nga vendimmarrjet e këtilla. “Nxënësit nuk janë të kyçur aspak në procesin e marrjes së vendimeve lidhur me atë se ku do të shkohet në ekskursion, sa ditë do të qëndrohet apo se cila ofertë është me e leverdishme. Për gjithçka vendosën udhëheqësi e shkollës dhe nuk konsultohen aspak nxënësit”, pohon për KOHA Çilafi, kryetarja e UNSH-së. E, në fakt, të gjithë drejtorët ankohen për “kokëçarje” që thonë se u shkaktojnë situatat kur duhet të dërgojnë nxënësit nëpër ekskursione apo të organizojnë mbrëmje mature, fotografim për tabelën e shkollës e kështu me radhë. Mirëpo, nuk u shpëton asnjëherë dhe asnjë rast pa mos qenë personalisht në krye të organizimeve të këtilla. Dikush fshihet pas Këshillit Drejtues të Shkollës, e dikush është më i drejtpërdrejtë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara