Shkup, 12 dhjetor – Agim Sopi nuk do të jetë më ndihmës-seleksionues i përfaqësueses së Maqedonisë deri më 21 vjeç. Këtë lajm ekskluzivisht për gazetën KOHA e konfirmon edhe vet Sopi. “Për shkak të përgjegjësisë së madhe që kam në klubin tim në Suedi dhe se ndeshjet e Kampionatit Evropian për U 21 mbahen në mes të sezonit tonë, kam vendos që të mos vazhdoj të ushtroj detyrën e ndihmës-seleksionuesit të U 21 të Maqedonisë. Arsyeja është se nuk mundem të jem jashtë ngjarjeve të klubit tim për katër javë, që do të thotë dy javë përgatitje dhe dy javë në Poloni, derisa Kampionati në Suedi vazhdon deri më 16 korrik”, bën të ditur Sopi. Ai thotë se për këtë e ka njoftuar edhe nënkryetarin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë Muhamed Sejdini por edhe Bllagoja Milevskin. “Sigurisht se për këtë vendim kam njoftuar edhe nënkryetarin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë Muhamed Sejdini dhe seleksionuesin Bllagoja Milevski, me të cilët me mirëkuptim të plotë u ndamë. Kam pas një ëndërr të madhe për këtë Kampionat Evropian dhe historik për futbollin e Maqedonisë, por futbolli është i tillë ku ndonjëherë duhesh të bësh disa sakrifica dhe të merren vendime të rënda. Kuptohet e gjithë kjo për të mirën e të gjithëve, pasi jam një profesionist dhe nuk dua që të jem i ndarë në dy fronte gjatë kësaj periudhë”, përfundoi Sopi, duke falënderuar edhe njëherë për përkrahjen nënkryetarin e FFM-së Muhamed Sejdini i cili kishte besim tek ai, seleksionuesin Bllagoja Milevski në krye me stafin teknik dhe posaçërisht lojtarët të cilët në dy vitet sa ishte ai ndihmës-seleksionues, arritën suksesin historik për futbollin në Maqedoni. Kujtojmë, Agim Sopi në vitin 2014 u emërua në pozitën e ndihmës-seleksionuesit të Maqedonisë deri 21 vjeç, me të cilën siç e dimë arritën të plasohen në Kampionatin Evropian në Poloni i cili do të mbahet vitin e ardhshëm.