Shkup, 16 mars – Paraqitjet e mira të futbollistëve të Osijekut nuk kanë kaluar pa u vërejtur, kështu që vlerësuesi më i njohur i cilësisë dhe çmimin e futbollistëve, “transfermarkt” ka vendosur që ti korrigjojë çmimet. Kështu, golashënuesit më të mirë të Osijekut dhe njëkohësisht Ligës kroate, Muzafer Ejupit, çmimi i është ngritur në një milion e 850.000 mijë euro, duke e bërë atë më të shtrenjtin në Ligën e parë të Kroacisë edhe atë të vetmin lojtar jashtë tre klubeve më të njohura në Kroaci si Rijeka, Dinmao dhe Hajduku. Ndërkaq, sulmuesi shkupjan si shpërblim për paraqitjet e mira, ka marr ftesë nga seleksionuesi i përfaqësueses së Maqedonisë Igor Angellovski për ndeshjen kualifikuese kundër Lihtenshtajnit dhe Bjellorusisë në fund të këtij muaji.
Ndryshe, Ejupi vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes në mediat kroate. Për televizionin kroat ‘Vjesti.hr” ka zbuluar se dëshiron që në fund të sezonit, të shpallet golashënuesi më i mirë i ligës. Siç e dimë Ejupi me 12-të gola kryeson në listën e golashënuesve duke lënë pas Saudanin dhe Andrijasheviqin. “Ka edhe shumë ndeshje për tu zhvilluar. Nuk është caku që momentalisht të jesh më i miri, por në fund të përfundoj si golashënuesi më i mirë i Ligës”, deklaroi për ‘Vjesti.hr” Ejupi, i cili Osijekut në ditëlindjen e saj, ia dhuroi dhuratën më të mirë duke mposhtur Hajdukun pikërisht me dy golat e tij.
Nga “Vjesti.hr” gjithashtu thonë se një golashënues siç është Muzafer Ejupi, skuadra e Osijekut nuk e ka pasur qysh në kohën e Robert Shpehar, ndërsa të gjithë në klub kanë besuar se shkupjani do arsyetojë besimin që ia dhanë drejtuesit e saj. Ai shumën që Osjieku ia pagoi Slaven Belupos (400 mijë euro) e shpagoi qysh në debutimin kundër Hajdukut verën e kaluar. “Osijeku gjatë kohë nuk ka pasur një golashënues si Muzafer Ejupi dhe për këtë ai është i vetëdijshëm. Ka përkrahjen e të gjithëve stafit teknik dhe shokëve”, thotë trajneri i Osijekut Zoran Zekiç.
Ndërkohë, pas Ejupit, çmimet u rriten edhe lojtarëve tjerë të Osijekut si Borna Barishiq (një milion euro), Mateo Baraç (850 mijë euro), Nikola Matas (650 mijë euro), Benedik Mioç, Andreja Lukiç dhe Antonijo Perosheviç (600 mijë euro) si dhe ukrainasit Dmytri Lopi (500 mijë euro). (koha.mk)