Omer XHAFERI
Shkup, 23 dhjetor – Nëse gjyqësori në Maqedoni para një dekade ishte referencë për reformat në sistemin juridik, sipas drejtoresh së Institutit për politikë evropian (IPE), Malinka Ristevska-Jordanova, këto reforma tani kanë stagnuar apo edhe shënojnë regres, shkruan gazeta KOHA. Pushteti gjyqësor në vend, sipas Jordanovës, gjendet para një sfide të madhe, gjegjësisht nëse do të ndodhin reformat e shumë pritura përbrenda këtij sistemi, apo edhe më tej do të vazhdojë kjo krizë. Hapat më serioz, që për momentin duhet të bëhen në këtë drejtim, siç u tha në debatin e organizuar për “Efikasitetin e gjyqësorit dhe gjykatësve në Maqedoni”, duhet të jenë masat që në rend të parë do të sigurojnë pavarësi dhe kualitet të gjyqësorit. “Në kuadër të efikasitetit të reformave, konstatoj se në masë të madhe ky lloj i ndryshimeve ka hyrë në funksion, respektivisht kanë dhënë rezultate. Sipas hulumtimeve dhe analizave në nivel të Ballkanit si rajon, qytetarët në përgjithësi kanë besueshmëri të vogël në pushtetin gjyqësor. Në këtë renditje vendi jonë gjendet në një shkallë më të favorshme, por jo të duhur. Duke u mbështetur në këto të dhëna, mendoj se sistemi gjyqësor në vend duhet më tepër të hapet drejt qytetarëve dhe shoqërisë, me çka duhet të dëshmohet se gjyqësia është krahë përkrahë me sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët”, tha Jordanova. Ajo shton se lejimi i ndikimit të politikës në pushtetin gjyqësor në Maqedoni është një lëshim i madh për vetë sistemin juridik. Kjo tezë, siç thanë nga IPE-ja, më mirë vërtetohet me skandalin e përgjimeve që ende është aktual, i cili derisa nuk pastrohet në tërësi, gjyqësori edhe më tej do të ngelet peng i politikës. Propozimi për rizgjedhje të të gjithë gjykatësve apo prokurorëve, masë kjo e propozuar nga opozita, sipas drejtoreshës Jordanova, paraqet një rrezik të madh. Ky lloj i reformave në gjyqësor për momentin zbatohet në Shqipëri dhe kishte tentim për t’u futur si temë debati në Serbi. Ky lloj i formatimit të gjyqësorit tek ne, sipas drejtueseve të IPE-së, nënkupton mundësinë e fundit për reforma, në rast se vetë gjyqësori nuk i realizon përbrenda reformat e kërkuara, për të cilën mendoj se do të ishte një zgjidhje më afatgjate, kuptohet me konsensus nacional me pushtet tjera, në këtë rast atë ligjvënës dhe ekzekutiv. Sa i përket kualitetit të aktgjykimeve, në këtë panel u tha se nuk mund të jepet një vlerësim i përgjithshëm. Një numër i konsiderueshëm përfaqësuesve të sektorit civil viteve të fundit i ka mbikëqyrur seancat e ndryshme gjyqësore, dhe ato japin vlerësime të lloj-llojshme për kategori të ndryshme të aktgjykimeve. Krahas kësaj, edhe faktori ndërkombëtarë vazhdimisht e cek se para sjelljes së aktgjykimeve, gjykatësit duhet t’i kushtojnë rëndësi të madhe kualitetit të vendimeve. Ndryshe, problemi më i madh me të cilin përballen gjykatësit, sipas ekspertëve juridik, është presioni, duke filluar nga afatet ligjore, normat e kështu me radhë. Tezën se gjyqësori vendas gjendet para një sfide të madhe, e ka mbrojtur edhe Aleksandra Bogdanovska nga organizata jo qeveritare “Koalicioni të gjithë për gjykim të drejtë”. Ajo shtoi se gjykatësit së bashku me faktorët tjerë në shtet do të duhet ta përforcojnë transparencën, pavarësisë dhe efikasitetin e pushtetit gjyqësor. “Ne si koalicion brenda viti bëjmë mbikëqyrjen e disa proceseve gjyqësore, kështu që çështja pozitive në këtë drejtim është gatishmëria për bashkëpunim e gjykatave me sektorin civil. Synimi i organizatës tonë është që rekomandimet që i japim dhe konstatimet e lëshimeve që i nxjerrim nga seancat gjyqësore, të futen në reformat e gjyqësorit që pritet të bëhet”, tha ekspertja juridike Bogdanovska. Ndryshe, hulumtimet e kryera nga kjo organizatë thonë se besueshmëria e qytetarëve gjendet në një shkallë të ulët, respektivisht qëllimi i monitorimit të proceseve gjyqësore nënkupton afrimin e pushtetit gjyqësor me qytetarët.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.