Driton ZENKU
Gostivar, 12 maj – Një vit nga gjetja e kafkës që u vërtetua se i takon gostivarasit që rezultonte prej vitesh i zhdukur, Naser Selmani, familja vazhdon të mbetet në pritje të gjetjes së kufomës së tij. Edhe kafka, tani pas një viti, vazhdon të mbahet në Institutin e Mjekësi Ligjore në Shkup, shkruan gazeta KOHA. “Na treguan që është gjetur një kafkë. Pas analizës së ADN-së, na kumtuan që kafka i takon familjarit tonë. Prej atëherë nuk u ndërmor asnjë hap për gjetjen e kufomës së tij. Edhe kafka nuk iu dha familjes. Neglizhenca e institucioneve na shtyn të dyshojmë në gjithë ngjarjet. Hapet dilema nëse kafka i takonte apo jo Naserit”, thotë familjari Neim Ismaili, i cili fton institucionet që të merren me zbardhjen e rastit deri në fund.
Në emër të familjes, Ismaili kërkon nga Prokuroria Publike, Policia dhe organet e tjera përgjegjëse të shtetit, të zbardhin rastin deri në fund, sepse, misteri i vdekjes do të mbetet një plagë e pambyllur për këtë familje, e cila nga dita e zhdukjes së birit të tyre nuk gjeti rehati, madje, pasoi edhe fatkeqësia tjetër në këtë familje, kur babai i Naserit jo më shumë se para dy vitesh kreu vetëvrasje. Ndryshe, pas denoncimit të rastit të një kalimtari të rastit më datë 13 prill të vitit 2016, i cili e kishte parë kafkën e njeriut anësh rrugës, një ekip i policisë me urdhër të Prokurorit publik kreu kontroll në vendin e ngjarjes. Zona e kërkimit vijoi në një largësi deri në 3 kilometra. Por, përveç kafkës, organet e rendit me ndihmën edhe të qenve nuhatës nuk arritën të zbulojnë pjesë të tjera mortore të trupit të të ndjerit.
Drejtori i Institut për mjekësi ligjore, Aleskej Duma, bëri me dije për gazetën KOHA se nga ekspertiza e kryer nuk janë gjetur shenja të dhunës. Pastaj, në kumtesën e Prokurorisë Publike u bë me dije se në bazë të analizës komparative të ADN profileve të personave tjerë, është marrë rezultat që me siguri prej 99,9 pr qind tregojnë se kafka e gjetur i takon personit Nase Selmani nga Gostivari. Kujtojmë se Naseri humbi gjurmët në orar të punës si shofer personal i ish rektorit tashmë të ndjerë të UT-së, Agron Reka. Në ditën e zhdukjes, Naseri ishte larguar rreth orës 11 nga shtëpia për ta marrë rektorin dhe për ta dërguar në punë. Për shkaqe shëndetësore, rektori i kishte rekomanduar atij që të shkonte ta merr në shtëpi në ora 11 e 30 për të vazhduar më pas në Universitetin e Tetovës. Deri në ora 13, kur dhe ka shkyçur telefonin, ai është rrotulluar rreth shtëpisë së rektorit, me qëllim për ta dërguar në punë. Brenda kohës së pritjes Naseri ishte takuar me djalin e rektorit. Pasi ishte përshëndetur me këtë të fundit prej para shtëpisë familjare të rektorit, Naseri ka vazhduar me automjetit zyrtar të USHT-së rrugës së Spitalit dhe që shpien nga magjistralja Gostivar-Mavrovë, Gostivar-Kërçovë. Kontaktin me faktorin njeri Naseri e ka pasur me punonjësin e Pompës së Benzinës “Mak Petrol” në Mavrovë, nga ku më pas askush nuk di asgjë mbi fatin e tij. Kujtojmë se vetura në pronësi të UT-së u gjet në një rrugicë malore në magjistralen Gostivar-Kërçovë, dy kilometra para kthesës në vendin e quajtur ‘Strazhë”. Makina u gjet e parkuar dhe e mbyllur me çelës. Gjatë verifikimit u konstatua se në veturë nuk ka pasur shenja për dhunë, ndërkohë që u brenda saj u gjetën edhe dokumentet e identifikimit të të ndjerit.
Naser Selmani ishte baba i tre vajzave, njëra nga të cilat erdhi në jetë pasi babai i kishte humbur gjurmët. Ishte gazeta KOHA që më 10 maj të vitit 2016, njoftoi ekskluzivisht se kafka e gjetur në skaj të rrugës në magjistralen Gostivar-Kërçovë në afërsi të vendit të quajtur Strazhë, i takon gostivarasit, Naser Selmani, i cili humbi gjurmët në mënyrë enigmatike më 14 tetor të vitit 2011.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara