Vjollca SADIKU
Dibër, 26 prill – Dekada me radhë Lumi Drini i Zi, për shkak të ujërave të zezë, shkakton probleme ekologjike edhe në Liqenin e Dibrës. Fakti që shpesh herë kolektori për pastrimin e ujërave të zeza në Strugë është jashtë funksionimit, nëpërmjet Lumit Drini i Zi shkaktohen probleme të shumta të ndotjes së ujit edhe në liqenet e Glloboçicës, shkruan gazeta KOHA. Ky problem është shumë serioz, për çka një interesim të veçantë ka shprehur Qendra për zhvillimin të rajonit planor jugperëndim, në të cilën është edhe Komuna Dibër. Kjo Qendër ka bërë një studim fizibiliti për trajtimin e ujërave të zeza që derdhen në Lumin Drini i Zi nga Struga deri në Dibër.
Pushteti vendor i Dibrës ka përshëndetur këtë studim, i cili përndryshe realizohet në komunat Strugë, Vevçan, Dibër dhe Qendër Zhupë. Bëhet fjalë për një studim që faktikisht ka katër partnerë, kurse qëllimi i projektit është gjetja e varianteve, zgjidhjeve dhe mundësive për trajtimin e ujërave të zeza që derdhen në Lumin Drini i Zi në gjithë rrjedhën e tij, duke filluar nga Struga e deri në Dibër dhe Liqenin e Dibrës. Nga Qendra për zhvillimin planor të rajonit jugperëndimor, thonë se ky studim është teje i nevojshëm. Sigurimi i ambientit më të pastër për popullatën e asaj ane ka një domethënie shumë të madhe, thonë përfaqësuesit e pushtetit vendor të Dibrës, por edhe shoqatat qytetare. Parandalimi i ndotjes së mëtejme të ujërave, mundëson tërheqjen e investimeve sidomos në sferën e turizmit, meqë bëhet fjalë për një rajon të bukur dhe me një vegjetacion shumë të pasur, thuhet në vlerësimet e Qendrës në fjalë.
Në Komunën e Dibrës janë të mendimit se ky studim fizibiliti duhet të kalojë në fazat e realizimit të projektit. Ndotja e ujërave të Drinit të Zi dhe në këtë drejtim edhe të Liqenit të Dibrës është aktual një kohë të gjatë. Shoqatat ekologjike “Deshati” e Dibrës vite me radhë thekson se ka një ndotje të ujërave. Në disa sezone verore, në pjesën e hyrjes së Drinit të Zi në Liqenin e Dibrës, shpesh paraqiten alga në ngjyra të ndryshme, të cilët, sipas shoqatave, janë për shkak të ndotjes së ujit, kurse shkak kryesor janë ujërat e zeza dhe fekalet të cilat derdhen në Liqenin e Dibrës nëpërmjet Lumit të Drinit të Zi. Shoqata ekologjike sugjerojnë përgatitjen e projekteve dhe realizimin e shpejtë të tyre për të parandaluar ndotjen e tërësishme të Liqenit të Dibrës
Gazmend Cami, ekolog i njohur si dhe përfaqësues në sektorin për përgatitjen e projekteve pranë pushtetit vendor në sferën e mbrojtjes së mjedisit jetësor, thotë për KOHA se Komuna Dibër tani më ka përgatitur një projekt që ka të bëjë me trajtimin e ujërave në Komunën e Dibrës. Ai thotë se projekti është dorëzuar në Ministrinë për Mbrojtjen e Mjedisit Jetësor dhe pritet që shumë shpejt ky projekt të fillojë të realizohet. Projekti i Komunës Dibër që do të realizohet me përkrahje të ministrisë përkatëse, ka një domethënie shumë të madhe në trajtimin adekuat të ujërave në Komunën e Dibrës. Qëllimi kryesor është mbrojtja e ujërave nga ndotjet që ndodhin viteve të fundit. Sipas Camit, realizimi i projektit të trajtimit të ujërave në Komunën e Dibrës, pritet të realizohet nëpërmjet mjeteve që jepen nga Unioni Evropian për IPA Programet.
Nëse merret parasysh projekti për trajtimin e ujërave që është përgatitur nga Komuna Dibër dhe studimi fizibiliti për trajtimin e ujërave të zeza që derdhen në Lumin Drini i Zi nga Struga deri në Dibër përgatitur nga Qendra për zhvillim planor jugperëndim, atëherë mund të shpresojmë se shumë shpejt problemi i ndotjes së ujërave në Dibër, por edhe në rajonin më të gjerë do të tejkalohet. Edhe pse Dibra dhe rajoni më i gjerë kanë lumenjtë e njohur, Radikën dhe Drinin e Zi, por njëkohësisht edhe Liqenin e bukur të Dibrës, mosrealizimi i aktiviteteve për mbrojtjen e ujërave në tërës,i ka shkaktuar probleme të shumta me ndotjen e ujërave. Tejkalimi i problemit do të mundësojë një zhvillim të turizmit, meqë bëhet fjalë për një rajon me bukuri të shumta, të cilët do të mund të tërheqin edhe investime në sferën e turizmit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara