Përfshirja e VAR, pamjeve filmike që ndihmojnë gjyqtarin po vazhdon të lërë një shije të hidhur. Të dielën pasdite ndodhi një gabim i tmerrshëm, një skandal i mirëfilltë, në ndeshjen mes Gjermanisë dhe Kamerunit, që shkaktoi rrëmujë nervozizëm dhe paqartësi mes tifozëve.
Gjyqtari Wilmar Roldan nuk mori një vendim të gabuar, por dy të tillë, për të njëjtën ndërhyrje, edhe pse gjyqtari i katërt po konsultonte pamjet filmike. Rrëmuja ndodhi kur Ernest Mabouka dhe mesfushori i Gjermanisë, Emre Can u përplasën në një sfidë 50% me 50% për topin, me të dy futbollistët që në gjuhën e futbollit kishin ngritur takat.
Gjyqtari, i pakënaqur nga intensiteti dhe përplasja mendoi të nxirrte një karton të verdhë për futbollistin e Kamerunit, sepse Can kapi topin i pari. Por të verdhën ia vuri lojtarit të gabuar, Sebastian Siani. Në mes të protestave të afrikanëve gjyqtari kërkoi ndihmën e VAR (Video Assistant Referee) dhe pas disa minutave vendimi i dytë ishte edhe më i gabuar se i pari, sepse Siani-t iu bë karton i kuq!
Futbiollisti i pafajshëm i Kameruni u habit dhe kjo e shtoi rrëmujën në fushë e stadium. Vetëm 3 minuta më vonë, i konsultuar sërish me gjyqtarin e katërt, Roldan ndryshoi lojtarin e ndëshkuar nga Siani në Mabouka, por faktikisht as ky i fundit nuk bëri një ndërhyrje për të kuqe direkt, edhe e verdha do të ishte tepër…