Shkup, 15 shkurt – Rreth 80 për qind e maqedonasve kundërshtojnë takimin e liderëve shqiptarë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, derisa 73.7 për qind e shqiptarëve kanë mendim pozitiv për këtë takim që muaj më parë u realizua në Tiranë. Kështu tregojnë rezultatet e radhës të anketës së Qendrës Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (QMBN), Agjencisë PROSPEKT dhe TV TELMA, e cila me mbështetjen e USAID-it amerikan, është realizuar nga data 4 shkurt deri më 10 shkurt, transmeton gazeta KOHA.
Në pyetjen se: Cili është mendimi Juaj për takimin e liderëve shqiptarë nga Maqedonia me kryeministrin shqiptar, Edi Rama?, 79.2 për qind e të anketuarve maqedonas kanë shprehur mendim negativ, 1.4 për qind mendim pozitiv, 10.1 nuk kanë dhënë përgjigje, ndërsa 9.3 për qind kanë qenë neutral. Te shqiptarët, 73.7 për qind kanë dhënë mendim pozitivisht për takimin e Tiranës, 14.3 kanë kundërshtuar, 8 për qind neutral, ndërsa 4 për qind kanë refuzuar të përgjigjen. Ndaras, votuesit e VMRO-së kryesojnë grafikonin sa i përket kundërshtimit të këtij takimi. 91 për qind e votuesve të partisë së Nikolla Gruevskit kanë kundërshtuar takimin me kryeministrin Rama dhe Platformën shqiptarë, derisa në LSDM – 59.3 për qind e votuesve të partisë së Zoran Zaevit kanë mendim negativ për takimin e Tiranës, si dhe për Platformën. LSDM kryeson edhe me numrin e atyre që janë neutral sa i përket takimit me Ramën dhe Platformën shqiptare. 13 për qind e votuesve të LSDM-së janë shprehur neutral për takimin, derisa në VMRO kjo përqindje arrin në 3.4. E veçanta e kësaj pyetje janë përgjigjet e votuesve të PDSH-së së Menduh Thaçit. 90.9 për qind e atyre që kanë votuar PDSH-në në zgjedhjet e 11 dhjetorit janë shprehur pozitivisht për takimin e Tiranës, ndërsa kjo ishte partia e vetme shqiptare që nuk mori pjesë në tryezën e iniciuar nga kryeministri Rama. Anketa është realizuar nga 4 deri më 10 shkurt me 1000 të anketuar nëpërmjet telefonit. (koha.mk)