Nga Lukrecia RAISHLIN
Tradicionalisht, qeveritë vuajnë kur ekonomia shkon keq. Pavarësisht rimëkëmbjes, Evropa ndjen ende pasojat e një krize të gjatë, që la pas borxhe, papunësi dhe varfëri. Nuk është pra, aspak e habitshme, që partitë populiste janë në rritje kudo, dhe që propagandojnë një agjendë nacionale, në kundërvënie ndaj Brukselit. Kuptohet edhe që në shumë vende, duke përfshirë Italinë, partitë tradicionale tundohen prej retorikës së sovranitetit kombëtar. Por ideja e heqjes dorë në mënyrë progresive nga sovraniteti kombëtar, ka qenë gjithmonë qendrore në projektin e Bashkimit Evropian. Rishfaqja e nacionalizmit, pra, sugjeron që ky projekt po kalon një krizë legjitimiteti. A është ky realiteti?
Duke thjeshtësuar në maksimum, mund të rindërtohet logjika e projektit të BE, në këtë mënyrë: në fillesë, krijimi i tregut të përbashkët u pa si një instrument i domosdoshëm, për të lehtësuar konvergjencën e ekonomisë evropiane, drejt asaj amerikane. Integrimi ekonomik kërkonte një shkallë të lartë të koordinimit politik, që u bë e mundur nga fakti që, vendet themelues më të mëdhenj – Gjermania, Franca dhe Italia – kishin interesa, por edhe një peshë ekonomike të ngjashme. Është mbresëlënëse të konstatosh, se si nga fillimi i viteve Shtatëdhjetë, kur u përmbyll periudha me rritje të lartë, e rindërtimit dhe e mrekullisë ekonomike, në fillimin e viteve Nëntëdhjetë, performancat ekonomike të tre vendeve të mëdha evropiane kanë qenë të ngjashme, dhe norma e rritjes për frymë, praktikisht e njëjtë. Por në fillim të viteve Nëntëdhjetë, gjërat ndryshuan. Janë dy faktorët themelorë. Italia hyn në një periudhë stanjacioni, që e shkëput nga Gjermania dhe Franca dhe Gjermania, falë ribashkimit, “fiton” 20 milion qytetarë. Nga ai moment, ekuilibri i fuqive mes tre vendeve ndryshon rrënjësisht. Pjesën tjetër e bëri kriza, duke qenë se mekanizmat e përshtatjes në brendësi të Eurozonës kanë qenë jo në favor të vendeve më të brishtë, mes të cilëve Italia. Kjo e bën shumë të vështirë ndërmarrjen e transformimeve që BE duhet të përballojë, për t’u forcuar. Edhe më e vështirë është për Eurozonën, e cila duhet të plotësojë copëza të qeverisjes së saj ekonomike, por që nuk mund ta bëjë pa thelluar integrimin politik. Nuk është e qartë nëse do të gjendet forca për të shkuar në këtë drejtim, por nëse ky proces do të riniste vërtetë, politika më shumë se sa ekonomia, do të ishte boshti.
Do të ishte e pashmangshme pra, që të ishin kryeqytetet e shteteve që ta udhëhiqnin, duke i dhënë Brukselit thjeshtë një rol teknik. Me ekuilibrin ekonomik mes tre vendeve të mëdhenj që ka ndryshuar kaq thellë, cila aleancë e qëndrueshme do të ishte e mundur, mes Berlinit, Parisit dhe Romës? Po ta shohësh me realizëm, Gjermania dhe aleatët e saj tradicionalë në veri do të ishin të destinuar në kabinën e komandës, duke konsoliduar kështu asimetrinë evropiane. Megjithatë, pikërisht ndaj këtij çekuilibri themelor, qytetarët evropianë reagojnë negativisht, dhe jo ndaj vetë BE-së. Nuk është e habitshme në fakt, që sot, vendi më në favor të Evropës, është Gjermania. Kontradikta mes projektit federal të etërve themelues dhe natyrës imperiale të marrëdhënieve mes vendeve të BE-së, është sot pengesa më e madhe në rrugën e procesit të integrimit. Një problem që duhet përballur me kthjelltësi, nëse duam vërtetë të rinisim rrugëtimin evropian, duke rifituar edhe mbështetjen e qytetarëve. (Corriere della Sera)