Omer XHAFERI
Shkup, 26 maj – Të kesh emrin Adem, Arian, Isa, Muharrem ose Rami, nuk është njëjtë sikurse të kesh emrin Dimçe, Boris, Stojan, Marjan ose Viktor. Drejtësia e Maqedonisë mjaftohet vetëm me emrin e të pandehurit, ndërsa argumentet nuk janë me rëndësi, shkruan gazeta KOHA. Kështu ndodhi ditë më parë, kur Gjykata Penale e Shkupit liroi nëntë të akuzuarit e parë për dhunë në mbrëmjen e 27 prillit në Parlament, ndërsa ishin të akuzuar për sulm ndaj deputetëve të Maqedonisë. Gjykatësja Lubinka Bashevska, gjykatëse edhe në rastin e ashtuquajtur “Puçi”, ku gjykohet lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, vendosi që nëntë të akuzuarit që goditën deputetët dhe demoluan Parlamentin, të dënohen me kusht. Pasi pranuan fajin para Trupit gjykues për “pjesëmarrje në turmë” dhe “pjesëmarrje në turmë që do të parandalojë personin zyrtar në kryerjen e veprimtarisë zyrtare”, Bashevska solli vendim për masa alternative – dënime me kusht, përveç njërit prej nëntë të akuzuarve, të cilët iu shqiptua masa me kusht në kohëzgjatje prej një viti e gjysmë në rast se në pesë vitet e ardhshme nuk përsërit vepër penale. Dimçe Hristovski, Danilço Vasilevski, Stojan Pavlovski, Boris Mutkov, Marjan Stojanovski, Viktor Nastev, Aleksandar Stojçev, Angel Zafirov dhe Mirçe Cvetanovski u lanë të lirë, edhe pse Ministria e Punëve të Brendshme kishte dorëzuar prova si video-filmime dhe fotografi për involvimin e tyre në dhunën e Parlamentit. Në ndërkohë, në seancë gjyqësore kundër nëntë huliganëve kishin dëshmuar edhe mbi 20 persona të dëmtuar, kryesisht policë të lënduar, sigurimi i Parlamentit dhe pjesëtarë të forcave speciale të policisë. Por, kështu nuk ndodhi edhe me protestuesit shqiptarë të vitit 2017, kur mijëra shqiptarë, të revoltuar me dënimet e përjetshme në rastin “Monstra”, dolën në rrugët e Shkupit dhe u përplasën me policinë. Atëkohë, me nga tre vite burg u dënuan Adem Abdullahu, Arian Rexhepi, Enur Iljas, Rami Buçi, Muharem Bardhi dhe Isa Buçi, ndërsa në qeli qëndruan nga dy vite e gjysmë. Madje, në pranga kishte përfunduar edhe një shqiptarë me të meta mendore. Ndryshe nga dhuna në Parlament, ku huliganët janë identifikuar me emër dhe mbiemër, me foto dhe video-materiale, në rastin e protestuesve shqiptarë të “Monstrës” nuk kishte argumente të këtilla. Avokati i shqiptarëve që tashmë kanë vuajtur dënimet me burgim, Asmir Alispahiq, vazhdon të akuzojë për gjyqësi selektive. Vepër e njëjtë, por gjykime të ndryshme, thotë për KOHA Alispahiq, sipas të cilit, “drejtësia e Maqedonisë nuk e lodh veten kur bëhet fjalë për të akuzuar nga etnitete të ndryshme”. “Protestuesit që në vitin 2014, dolën të reagojnë për vendimin e gjykatës lidhur me rastin ‘Monstra’, po nga Gjykata Penale e Shkupit u dënuan në mungesë të veprimeve dhe provave konkrete. Në ndërkohë, në lëndën për sulmin në Parlament, ekzistojnë veprime konkrete, me emër dhe mbiemër se kush e ka kryer atë vepër”, thotë për gazetën KOHA, avokati Alispahiq. Ai kujton se gjashtë të rinjtë shqiptarë, të cilën fillimisht u dënuan me nga tre vite burg dhe pastaj ky dënim u zvogëluar në dy vit gjysmë, u burgosën vetëm se ishin pjesë e turmë së njerëzve që protestonin. “Gjykata aktakuzat në asnjë mënyrë nuk i provoi se ata janë personat që kishin hedhur me gurë drejtë objektit të gjykatës. Ndryshe nga dje, kur pamjet e prezantuara në gjykatë tregojnë qartë se kush janë personat që godasin deputetët në Parlament. Ironia qëndron në atë se gjykatësja, e njohur në opinion për gjykime selektive, i dënon me kusht. Sipas meje, në këtë rast evidente është drejtësia selektive gjatë shqiptimit të dënimit. Kjo fatkeqësisht vazhdon të ndodhë edhe pse ekziston një Ligj për përcaktimin e veprës penale, ndërsa dispozitat e tij – në rastin e fundit nga ana e Trupit gjykues nuk u zbatuan. Ligji në fjalë ka hyrë në fuqi që nga viti 2015, dhe në këtë drejtim mendoj se gjykata në të ardhmen nuk duhet të jetë selektive kur bëhet fjalë për vepra penale të njëjta”, thotë Alispahiq. Përveç burgut, gjashtë shqiptarët e burgosur në 2014 u dënuan edhe me 26 mijë euro gjobë, pasi Trupi gjykues u kishte faturuar atyre dënimin material të objektit të Gjykatës – disa xhama të thyer. Dëshmitarë në gjykatë, atëkohë ishin paraqitur 20 pjesëtarë të policisë, ndërsa aktakuza ishte e njëjtë sikurse ajo e huliganëve maqedonas – “pjesëmarrje në turmë e cila do të kryejë vepër penale”. Pas lirimit të huliganëve, kanë reaguar të gjitha partitë politike, përveç VMRO-DPMNE-së, e cila e përshëndeti vendimin e gjykatëses Lubinka Bashevska.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara