Mund të duket si një histori e pamundur, aq më tepër në kushtet kur në Shqipëri për momentin po zhvillohet një luftë edhe politike përpos asaj reale në terren kundër kultivimit e trafikimit të drogës. Por nuk bëhet fjalë për Shqipërinë. Qyteti ku policia do të nisë t’u japë vetë heroinë përdoruesve të saj quhet Durham, dhe ndodhet në Britaninë e Madhe. Kjo sipas shefit të policisë së këtij qyteti bëhet për të shtypur bandat kriminale që kryejnë edhe krime që lidhen me përdorimin e heroinës. Sipas asaj që shkruan “The Independent”, plani do të zbatohet fillimisht për ata që cilësohen si përdoruesit A të drogës, konsumatorë të rregullt të heroinës. “Përdoruesit kështu nuk do të vjedhin apo të shkojnë te shpërndarësit për ta siguruar atë”, tha Mike Barton, shef i policisë së qytetit. “Duhet ta kalojmë panikun moral. Shqetësimi kryesor është parandalimi i krimit. Nëse kemi njerëz të varur nga heroina dhe të prirur për të kryer krime, do të përpiqemi t’i largojmë nga kjo rrugë. Por ky është shqetësim mjekësor dhe jo kriminal për ligjin”, shtoi ai. Të njëjtën skemë e kanë aplikuar edhe vende si Gjermania, Franca, Australia apo Zvicra. Kostot e një zbatimi të kësaj skeme përllogariten në 15.000 £ për person.