Cili futbollist do të refuzonte një ofertë nga Barcelona në ditët e sotme?! Janë shumë të paktë. Mes tyre është edhe sulmuesi italian Sebastian Giovinco, ashtu si ka zbuluar menaxheri i tij, Andrea D’Amico. Ish-sulmuesi i Juventus, që luan në Toronto, që prej janarit 2015, është kërkuar me ngulm nga “blaugrana”, një vit pas transferimit në Kanada, por e refuzoi në respekt të atij klubi dhe asaj tifozerie për të cilët është bërë si një lloj heroi. “Një vit më parë, në janar 2016, klubi i Barcelonës erdhi në Milano në fshehtësi të plotë dhe donte të merrte në hua shërbimet e Giovinco, – kanë qenë fjalët e menaxherit për “Premium Sport”, – por Sebastian e refuzoi ofertën. Edhe Toronto nuk do ta kishte lënë të largohet, megjithatë ne nuk bëmë asnjë kërkesë. Giovinco u morr për të rritur prestigjin e klubit dhe ashtu si tregoi në sezonin e kaluar është flamuri i Torontos.” Pra, Giovinco refuzoi Barcelonën, por ajo që duhet të trembë drejtuesit e Toronto është një ofertë nga Kina. Vetë menaxheri D’Amico deklaroi: “Ka ardhur një ofertë e rëndësishme për Giovinco. Do të flasim me klubin e Toronto dhe do të vendosim bashkë me ta dhe me Sebastianin se çfarë do të bëjmë.”