Tani që Real Madrid e ka parë t’i shkurtohet periudha e “bllokut” në merkato, vetëm për transferimet në janar 2017, zërat e merkatos për blerjet e mundshme të “Los Blancos” fillojnë të qarkullojnë me ngulm. Në Argjentinë, gazeta e mirënjohur “Ole” ka shkruar se Paulo Dybala është objektivi kryesor i klubit 11 herë kampion i Europës. “Merengues” kanë hedhur sytë prej kohësh te Dybala, gjithmonë në pritje të sulmit për ta marrë, në momentin që të hiqej embargoja e merkatos. Amerikano-latini ka një kontratë deri në vitin 2020 me Juventus dhe faktikisht që nga muaji nëntor, drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” kanë nisur të mendojnë për rinovimin e marrëveshjes. Sipas asaj që shkruan e përditshmja “Ole”, problemi kryesor që do t’i lindë Juventus për të mbajtur 22-vjeçarin është mundësia financiare e jashtëzakonshme e Real Madrid, që mund të arrijë në shifra rekord, rreth 100 milionë euro për klubin bardhezi dhe 15 milionë euro në sezon për sulmuesin. Kampionët e Europës janë “të etur” për të shpenzuar.