Shkup, 13 dhjetor – Gati një vit pas miratimit të fondit prej 900 milionë denarë, që iu është vënë në dispozicion rikonstruktimit të njëzet institucione të kulturës, të ndërtuara që prej 40 vitesh, por edhe ndërtimit të objekteve të reja, dy projekte që lidhen me kulturën shqiptare do të vazhdojnë të gjenden edhe në listën e 2017, shkruan gazeta KOHA. Ndërkohë që projekte të tjera kanë filluar të realizohen që në fillim të këtij vit, si projekti për ndërtimin e Teatrit të ri të Dramës, Sallës Universale, Qendrës së Kulturës në Koçan…, e deri tek modernizimi i kinemasë në Vevçan. Shuma e akorduar nga arka e shtetit në fillim të këtij viti parashikonte vijimin e punimeve për ndërtimin dhe rikonstruktimin e disa objekteve, mes të cilëve në listë gjenden edhe Biblioteka dhe Teatri i Tetovës, Teatri Shqiptar. Projekte këto të cilat jo vetëm që vazhdojnë të ecin me ritme të ngadalësuara, por edhe kanë ngecur në realizmin e tyre, duke bërë kështu që edhe për vitin e ardhshëm të gjenden sërish në këtë listë. Në Teatrin e Shkupit për këtë vit janë ndarë 40 milionë denarë, por vetëm gjysma e kësaj shume është përdorur për financimin e punimeve, pasi me pjesën tjetër janë likuiduar borxhet e një viti më parë. “Punimet që nisën në pranverë vijojnë, edhe pse aty punohet edhe pse me ritme të ngadalësuara dhe jo me atë dinamikë që parashikohej. Ndërsa për punimet që po bëhen këto tre muajt e fundit edhe nuk janë ndarë të hollat”, thotë zëdhënësja e Teatrit, Anita Latifi. Një situatë e ngjashme është edhe në Teatrin dhe Bibliotekën e Tetovës. Punimet vazhdojnë me ritme që ngadalësohen sa si pasojë e buxhetit që i akordohet dhe i minusohet, po aq sa edhe problemeve të tjera që nuk zgjidhen në kohën e duhur, siç ishte ajo më e fundit, largimi i kioskave në vendin e ndërtimit të objektit. Drejtori i Qendrës së Kulturës, Haki Fazliu, thotë për gazetën KOHA se ende nuk është likuiduar borxhi që nga muaji qershor, i cili është 120 milionë denarë. “Presim t’i lëshojnë këto ditë një pjesë të të hollave, ndërsa punimet vazhdojnë dhe s’besoj se do të kemi më pengesa”, thotë Fazliu. Programi i vitit 2016, i publikuar në Ministrinë e Kulturës, parashikon ndërtimin dhe rekonstruktimit e objekteve të Sallës së madhe të koncerteve të Filarmonisë, sallës së spektatorëve në Teatrin e Operës dhe Baletit, ambienteve që i janë vënë në dispozicion Vardar Filmit – Maqedoni, Bibliotekës universitare në Shkup, Teatrit të Strumicës, Shtëpisë së Kulturës në Kisella Vodë, rekonstruktimin e çatisë dhe të objekteve në tërësi të Qendrës së Kulturës në Koçan, atë në Dellçevë, dhe në Kumanovë. Si objekte të reja që duhet të ndërtohen janë edhe Teatri i Komedisë në Shkup, si edhe Qendra e Kulturës në Ohër. “Qëllimet e miratimit të këtij programi kanë të bëjnë me përmirësimin dhe modernizimin e kushteve dhe infrastrukturës së këtyre objekteve si edhe avancimin dhe nxitjen e kulturës dhe artit në vend. Më parë është konstatuar se duhet intervenuar në këto objekte për t’i rikonstruktuar, sanuar dhe adaptuar. Ato janë të ndërtuara dyzet vjet më parë dhe që atëherë është investuar shumë pak për mirëmbajtjen dhe përmirësimin e gjendjes së tyre, ndërkohë ë për ndërtimi ne objekteve të reja as që është bërë fjalë”, thuhet në programin e Ministrisë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.