Vjollca SADIKU
Dibër, 2 gusht – Përkrahja e mërgimtarëve për dibranët është shumë e madhe. Vite me radhë ata japin një kontribut të madh në ndihmesën për familjet e tyre, por edhe më gjerë. Përveç ndihmave në para, ata kohëve të fundit për familjet e pastrehë sigurojnë edhe shtëpi, shkruan gazeta KOHA.
Një grup mërgimtarësh dibranë që jetojnë në SHBA, kanë siguruar shtëpi për dy familje skamnore, të cilët vite me radhë nuk kanë pasur kulm mbi kokë. Bëhet fjalë për familjet e Bedri Upalenit dhe Sabaudin Lela. Pas kontakteve që pati grupi humanitar i mërgimtarëve nga SHBA, i kryesuar nga Edomond Imeri – Mondi dhe Bekim Paçuku, bashkë me aktivistët Skënder Kërçishta dhe Artan Duka, kanë ardhur në përfundim se familjet e Bedri Upalenit dhe Sabaudin Lelës kanë nevojë të veçantë për të siguruar kulm mbi kokë.
Së pari me grumbullimin e mjeteve, u ble një shtëpi për familjen e Bedri Upalenit. Ai jetonte në një varfëri ekstreme dhe në një shtëpi të boshatisur në fshatin Shullan. Ai na deklaroi se së bashku me bashkëshorten e tij, Artën dhe dy fëmijët jetonin në kushte mizore, pa rrymë, pa asnjë banor në fshat, pa punë ,pa asgjë. Gjatë vizitës që ia bënë aktivistët humanitar, Skënder Kërçishta dhe Artan Duka, erdhën në përfundim se duhet t’ju ndihmohet, me çka informuan grupin humanitar nga Amerika. Mjetet për sigurimin e një shtëpie për këtë familje u siguruan shumë shpejtë, na deklaroi Skënderi dhe menjëherë u ble një shtëpi në Dibër, e cila ishte e mobiluar komplet me inventar familjar. Në gëzimin që pati familja e Bedri Upalenti ishim të pranishëm edhe ne si gazetarë.
“Kam lindur për së dyti dhe jam shumë i gëzuar. Kurrë s’do ta harroj këtë të mirë që ma bën vëllezërit dibran nga Amerika”, tha Bedriu, i cili përveç problemeve të shumta sociale, ka edhe probleme shëndetësore. Gëzim të madh ka edhe bashkëshortja dhe fëmijët e tij. “ As në ëndërr nuk pritja që të tejkalojmë atë jetë mizore më keq se kafshët, por ja humanizmi i vëllezërve dibranë na solli këtë të mirë”, thotë Arta.
Një gëzim i madh ishte edhe për familjen e Sabaudin Lelës. Sabaudini, së bashku me familjen asnjëherë s’ka pasur shtëpinë e vet. Ai është endur nëpër shtëpi me qira. Pos pa shtëpi, ai vuan edhe nga sëmundja e epilepsisë së shkallës së lartë, por edhe nga disa sëmundje të tjera që pamundësojnë ai edhe të punoj. Humanistët nga SHBA, edhe për këtë familje siguruan mjete. Ai tani është bërë me shtëpi të kompletuar me orenditë shtëpiake. Gëzimi i kësaj familje është i madh. Bashkëshortja e Sabaudinit, Vjollca, thote ,,ky humanizëm kurrë nuk do të harrohet. Definitivisht edhe ne me tre vajzat tani më kemi shtëpinë tonë. Kjo ndihmë për ne do të jetë e paharruar, nga që na e ndryshoi jetesën tonë, thotë ajo.
Këto aktivitete humanitare në Dibër bën një bujë pozitive të madhe. Çdo familje dibrane përshëndesin këtë iniciativë nga grupi humanitar, duke i uruar me fjalë miradije dhe duke thënë se Zoti ju jep më shumë atyre që ndihmojnë. Sipas koordinatorëve, si nga SHBA, Edmond Imerit dhe Bekim Paçukut, por edhe të aktivistëve dibranë që veprojnë në Dibër, Skënder Kërçishta dhe Artan Duka, aktivitet humanitare do të vazhdojnë. Te mërgata dibrane interesimi është i madh për të ndihmuar vëllezërit dhe motrat e tyre që jetojnë në kushte mizore, thonë ata. Andaj, ata gjithmonë janë në teren dhe mbikëqyrin situatën e problemeve ekstreme sociale, me qëllim që t’ju ndihmohet edhe të tjerëve.
Duhet theksuar se përveç këtyre dy shtëpive që siguroi ky grup humanitar, edhe gjatë vitit të kaluar ky grup siguroi dy shtëpi të tjera për familjet pa strehë në Dibër. Ata tani jetojnë jetën normale si gjithë të tjerët. (koha.mk)