Arlinda CANAJ
Donika mbante titullin dukeshë dhe ishte e bija e princit të famshëm të Arbërisë, Gjergj Aranitit, një prej prijësve më të mëdhenj të luftës kundër pushtimit Osman. Ajo lidhi kurorë me Gjergj Kastriotin dhe u bë princeshë. Në gjuhën e sotme protokollare ajo ishte gruaja e parë e Arbërisë. Donika lindi në Kaninë, më 1428. Ky vit i lindjes së saj del nga shumë të dhëna të historianëve të ndryshëm, të cilët thonë se ajo ka qenë 23 vjeç, kur u martua me Skënderbeun. Martesa u bë në vitin 1451; Skënderbeu ishte sa dyfishi i saj në moshë, 46 vjeç.
FEMËR E SOJME
Donika ishte vajza e madhe e Gjergj Arianitit. Gjergj Arianiti ishte martuar dy herë. Me gruan e parë, Marie Muzakën pati gjashtë vajza: Donikën, Vojsavën, Anën, Halenën, Dhespinën dhe Komitën. Me gruan e dytë, Pietra Franko, ai pati tetë fëmijë ndër të cilët mund të përmendim vajzat: Marie, Teodora, Katerina, Mara si dhe djemtë: Thoma, Kostandin, Arianit, pra gjithsej pati 14 fëmijë. Donika ishte e para e të gjithëve. Ajo lindi dhe u rrit në Kaninë të Vlorës. Tre vjet pas martesës me Skënderbeun, Donika e gëzoi heroin me lindjen e djalit të vetëm të tyre, Gjonin e ri, i cili sipas traditës mori emrin e gjyshit. Në gravurat e kohës ajo del si një femër e sojme, me tipare të spikatura të një zonje të Mesjetës. Nuk dihet me saktësi roli që luajti ajo gjatë jetës bashkëshortore pranë Skënderbeut (1451-1468).
Por dhe pse kronikat e kohës nuk e përmendin për ndonjë rol të veçantë në drejtimin e shtetit, pa dyshim që i ka takuar asaj të kujdeset jo vetëm për trashëgimtarin por dhe për drejtimin e shtetit. Betejat e vështira ku merte pjesë i shoqi, ekspeditat e tij të vështira në luftë të ashpër kundër turqve, si dhe marrëdhëniet diplomatike që e detyronin shpeshherë të lëvizte drejt Venedikut, Raguzës e Napolit do të thoshin mungesë e tij fizike. Edhe pse Skënderbeu kishte oborrin e tij, pa dyshim për kushtet e vështira të kohës, mungesës së telekomunikacionit, detyra e drejtimit të shtetit pa dyshim që i takonte asaj. Dhe Donika plotësonte të gjitha kushtet, sepse ishte e bija e një strategu të madh që pa dyshim i kishte edukuar fëmijët e tij të drejtonin gjithë atë principatë. Donika ishte një grua me të vërtetë shteti dhe me të drejtë mban portofolin e gruas së parë mbretërore shqiptare.
Pas vdekjes së Skënderbeut në 17 Janar 1468, Donika u përball me një rrezik shumë të madh. Sigurisht që askush nuk kishte më tagrin e Skëndërbeut për të përballuar hordhitë turke. Ndaj detyra për të mbrojtur thesarin e madh të jetës, trashëgimtarin legjitim të Skënderbeut, bëri që Donika të largohej së bashku me të birin në Itali. Në vitin 1468, suita e saj u vendos në Itali në dy feudet që Ferdinandi i Aragonës, mbret i Napolit i kishte dhuruar Skënderbeut në vitin 1463, si kompesim i ndihmës së çmuar që heroi i dha atij. Princesha jetoi në oborrin e mbretit Ferdinand e shoqëruar nga dy princesha të tjera të veja dhe thuhet se vazhdoi fushatat e saj të bamirësisë në Arbërinë e saj dhe vazhdoi me jetën e saj dinjitoze duke u kujdesur për të birin dhe për nipërit e mbesat. E quanin të gjithë Skanalibeka që do të thoshte Skënderbesha.
Martesa më e famshme e historisë së Arbërisë është ajo e Skënderbeut me të bijën e Gjergj Arianitit. Të gjitha kronikat e kohës e cilësojnë si një dasmë madhështore ku nuk munguan festimet, dhuratat, stolitë dhe daullet e kënga. Thuhet nga kronikanët e historisë se Skënderbeu shkoi me 500 kalorës për të marrë nusen dhe festimet zgjatën 3 ditë.
SKËNDERBEU, DHËNDËR I GJERGJ ARIANITIT
Një nga personalitetet më të mëdha shqiptare, Sabri Godo do e përshkruajë në këtë mënyrë martesën e Gjon Kastriot Skënderbeut: “Në 23 prill 1451 Skënderbeu bëhej dhëndër i Gjergj Arianitit. Ai u martua me Donikën, që kishte vjet aq sa edhe këto ditë prilli, 23, ndërsa vetë ishte 46 vjeç. Në martesat shtetërore nuk luanin rol moshat dhe dëshirat. Ajo do të ishte një dasmë madhështore, sikur të mos mungonin tre djemtë e Arianitit, që gati u prishën me të atin për shkak të pajës. Në kontratën Muzakë Topia me pazarllëqe të rënda, Skënderbeu merrte toka në anën tjetër të Shkumbinit, para dhe ushqime të shumta.
Mungonin në dasmë Dukagjinët, ndërsa Hamzai, nipi i dashur flokëverdhë, rrinte i zymtë. Ai shihte të vinin nga kjo martesë një varg me djem, siç ishte zakoni i Kastriotëve dhe të avullonin shpresat e tij për të trashëguar Principatën e Arbërisë. Por erdhi Proveditori i përgjithshëm i Venedikut, që solli në emër të Senatit një stoli të habitshme për nusen dhe dy palë rroba të purpurta për dhëndrin, erdhën ambasadorët e Napolit, të Vatikanit dhe Raguzës dhe mëritë e vogla kaluan në harresë. Nusja e re dhe e lumtur e priti me faqet flakë burrin e saj, kalorësin e parë të Shqipërisë dhe netët e dasmës i kaluan si një vazhdim i avullit të verës, të muzikës dhe të dollive”.
Dasma në Kaninë zgjati tri ditë, 21-23 prill. Për dasmën e këtij çifti të shquar të Arbërisë ka gojëdhëna, vargje popullore, të dhëna historike. Thonë se Skënderbeu erdhi me 500 kalorës. Kënga dhe vallja buçiti dhe kalaja e Kaninës llamburiti nga pishat dhe fenerët e shumtë. Aty u bë shkëmbimi i unazave. Në Qishbardhë (Kishën e Bardhë) afër Kaninës, çiftit iu dha bekimi ungjillor. Më pas ceremonia vazhdoi në manastirin e Ardenicës, në afërsi të Lushnjes, dhe më pas në kalanë e Beratit. Populli buçiste e duartrokiste kudo ku shkelte çifti.
Sipas Barletit “Skënderbeu nuk e kishte mendjen për martesë, por atë nuk e linin rehat princërit farefis me të, të cilat e nxisnin që ai të vendoste për martesë. Pra për “Filizin” që duhej ti zinte vendin”. Edhe Gjergj Arianiti e mirëpriti këtë martesë, por edhe Skënderbeu ishte dakort për këtë fakt, sepse Gjergj Arianiti Komneni ishte i dëgjuar si askush tjetër, për mbretërinë e tij të madhe dhe për fisnikërinë e lashtë të fisit të tij. Gjithashtu Donika ishte bërë e njohur që me kohë dhe mbahej në gojë për atë bukuri fort të rrallë. Paja iu la në dorë Gjergj Arianitit, i cili nga prika që i dha së bijës i kënaqi të gjitha palët (Marin Barleti, Historia e Skënderbeut. Tiranë 1983, f. 382-384). Për nevoja të luftës çlirimtare dhe për të forcuar pozitat e tij, Skënderbeu vendosi të martohej me Donika Arianitin, vajzën e madhe të Gjergjit. Kjo krushqi iu shkonte për shtat të dyja familjeve, për nga pozita që ato posedonin. Si mbles Skënderbeu dërgoi Gjin Muzakën kunatin e Arianitit. Martesa ishte tërësisht politike ku nuk luanin rol mosha dhe dëshirat.
Sipas burimeve, Skëndërbeu dhe Donika, mbërritën në manastirin e Ardenicës pas dasmës së zhvilluar në shtëpinë e nuses në Kaninë, në 21 prill 1451. Ata shoqëroheshin nga princat shqiptarë, njerëz të familjeve, ambasadorët e Napolit, Vatikanit, Raguzës dhe Proveditori i Përgjithshëm i Venedikut në Shqipëri. Shpura udhëtoi nëpërmjet rrugës së “Muzakies” në itinerarin Vlorë-Ardenicë, vetëm disa ditë pas dasmës në Kaninë. Ceremoniali i kurorëzimit u bë në mesditën e datës 26 Prill 1451, i drejtuar nga peshkopi Feliks, nën kujdestarinë e të cilit ndodheshin dy manastiret më të mëdha të Myzeqesë, ai i Apolonisë dhe i Ardenicës.
Të nesërmen Skënderbeu me Donikën u nisën drejt Krujës, ku u zhvillua dasma madhështore në shtëpinë e dhëndrit, sipas riteve të traditës shqiptare. Martesa e të bijës me Gjergj Kastriotin ishte një nga sukseset e politikës së Gjergj Arianitit, i cili pas kësaj ngjarje shpejtoi të nënshkruante në qershor 1451: Traktatin e aleancës me Alfonsin e V-të të Napolit. (konica.al)