Driton ZENKU
Gostivar, 23 janar – Projektet për restaurimin e Xhamive të vjetra të fshatrave Simnicë dhe Ravem të Institutit Nacional – Qendra për Konservim në Gostivar, janë aprovuar nga Ministria e Kulturës me programin e ri për vitin 2017 dhe pritet që brenda vitit të bëhet realizmi i këtyre projekteve, shkruan gazeta KOHA. Drejtori i Qendrës Konservuese, Adnan Fejzullai, thotë se në mesin e projekteve të aprovuara për këtë vit, janë edhe projektet për renovimin e këtyre dy objekteve me rëndësi të veçantë për kulturën fetare të rajonit të Gostivarit. “Nga publikimi i programit për kulturë në vitin 2017, janë edhe projektet për restaurim të Xhamisë së Simnicës dhe Ravenit. Besojmë se projektet do të realizohen brenda afatit të paraparë”, tha për KOHA Fejzullahi, duke shtuar se një nga projektet e aprovuara dhe me rëndësi të veçantë është edhe projekti për ndërrimin e dritareve të shtëpisë së Ahmet Çakos. I ndërtuar në vitin 1850, objekti i xhamisë së vjetër të fshatit Simnicë, vazhdon t’i bëjë ballë kohës, edhe pse prej vitesh është hequr nga funksionimi. Ky monument historik bëhet i tillë me plotë kuptimin e fjalës edhe nga fakti se në oborrin e xhamisë ndodhet varri i heroit kombëtar, Xhemë Hasa. Xhamia e vjetër daton që nga gjysma e parë e shekullit të kaluar. Nga kalimi i kohës është amortizuar, struktura e saj ka deformime dhe nuk mund të shfrytëzohet më, por banorët e këtij fshati kanë vendosur të bëjmë objekt të ri, por të vjetrin mos ta prishim, xhamia e vjetër për fshatin Simnicë paraqet monument historik.
Duke u bazuar po në të njëjtat burime, xhamia në fillim ka qenë e ndërtuar në formë të thjeshtë pa minaren me çatinë prej kashte, kurse pamjen që ka sot e ka fituar në vitet e mëvonshme me intervenim të pjesshëm. Në vitin 1920, me iniciativë dhe vetë-financim të vëllezërve Tahir dhe Miftar Gjika ndërtohet minarja e xhamisë, ndërkaq në vitin 1980 intervenohet në pullazin prej kashte duke e mbuluar atë me tjegullave, edhe pse kjo xhami që nga origjina e saj ka pësuar ndryshime ka arritur të ruajë në tërësi vlerat arkitektonike. xhamia ka qenë në funksion deri më vitin 2003 kur është ndërtuar xhamia e re. Ndërkaq, Xhamia e vjetër e Ravenit gjendet në juglindje të fshatit, për vitin e ndërtimit të xhamisë si dhe për themeluesin e saj nuk ekzistojnë shumë të dhëna të sakta. Duke u bazuar në burimet gojore dhe në formën e thjeshtë të saj, banorët e fshatit supozojnë që xhamia është ndërtuar diku rreth vitit 1830, në pjesën e parë të shekullit XIX. Duke u bazuar në të njëjtat burime, xhamia në fillim ka qenë e ndërtuar në formë të thjeshtë, me minaren prej druri dhe me çatinë prej kashte. Pamjen që sot ka xhamia, e ka fituar pas kryerjes së intervenimeve që janë bërë në periudha të ndryshme kohore.
”Në vitin 1913, xhamia kaplohet nga zjarri në të cilën paraqitet nevoja që të intervenohet në çatinë prej kashte, duke e mbuluar atë me tjegulla, kurse në vitin 1975 ndërtohet minarja e re. Edhe pse xhamia ka pësuar ndryshime të shumta, duke intervenuar në pjesë të ndryshme të xhamisë, forma origjinale e saj dhe pjesa më e madhe e strukturës është e ruajtur. Kjo xhami ka funksionuar deri më vitin 2003, kur është ndërtuar xhamia e re. “Xhamia është në formë të drejtkëndëshit dhe përbëhet vetëm me përdhesen e lartë dhe të hapur. Sisteme konstruktiv i xhamisë është tradicional, që do të thotë themelet dhe muret janë ndërtuar prej guri, konstruksioni i kulmit është prej druri. Çatia paraqite me shtrirje në katër këndet e fasadës i mbuluar me qeramidhe”, thotë Adnan Fejzullahu, drejtor i Qendrës për konservim në Gostivar. Ndryshe, Raveni si fshat është shumë i vjetër, duke u bazuar në burimet gojore, fshati Raven në kohën ilire ka ekzistuar si qytet po me të njëjtin emër, në atë kohë të sunduar nga perandoria Romake. Ekzistimin e Ravenit si lokalitet vendbanimi e dëshmojnë edhe gjurmët të cilët i hasim edhe sot e kësaj dite, siç është kalaja e cila ndodhet në anën jugore të fshatit, që në atë kohë ka qenë baza e ushtrisë së atëhershme, si dhe manastiri, varrezat të cilat janë shpërndarë në tre pjesë të fshatit. Si rezultat i luftërave të vazhdueshme dhe përhapjeve të sëmundjeve të ndryshme, bën që të zhduket qyteti dhe populli. Më pas vendi u mbipopullua duke u vendosur në toka pjellore, aty ndërtuan fshatin bashkë me të edhe jetën duke zhvilluar bujqësinë, blegtorinë, zejtarinë, e të tjera, të cilat kanë qenë edhe si profesione kryesore të banorëve të atëhershëm.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.