Fisnik PASHOLLI
Shkup, 3 maj – Maqedonia renditet ndër shtetet që kanë më shumë ditë të paguara të pushimit vjetor dhe festave shtetërore. Në Maqedoni në mesatare punëtorët shfrytëzojnë 20 ditë të pushimit vjetor dhe 11 ditë të festave të paguara, gjegjësisht shfrytëzojnë 31 ditë të lira të paguara, shkruan gazeta KOHA. Numri kaq i madh i ditëve të pushimit të paguar na rendit ndër shtetet me më shumë pushime të paguara në botë së bashku me Austrinë, Portugalinë, Spanjën, Italinë, Belgjikën, Gjermaninë, Zelandën e Re, Irlandën dhe Australinë, që kanë ndërmjet 28 dhe 35 ditë të paguara të pushimit.
Sipas studimit të Qendrës amerikane për hulumtime ekonomike dhe shoqërore “CEPR”, Austria dhe Portugalia me nga 35 ditë të pushimeve të paguara, renditen ndër dy shtetet e para në botë lidhur me ditët e lira të pushimit vjetor dhe festave shtetërore. Punëtorët në Austri dhe Portugali shfrytëzojnë 22 ditë pushimit vjetor të paguar dhe 13 ditë festive që nuk punohen, por që paguhen, tregon studimi i “CEPR ”. Ndërkaq, sipas Ligjit për marrëdhënie pune në Maqedoni, punëtorët kanë të drejtë në pushim të paguar vjetor prej së paku 20 ditë dhe më së shumti 26 ditë. Nëse kësaj i shtohen edhe 11 ditë të festave shtetërore për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, del se punëtorët në vend kanë në mesatare 31 ditë të paguara pune. Gjithashtu, ditëve të festave që paguhen mund t’ju shtohen edhe pesë ditë të festave për qytetarët e konfesionit ortodoks, tre ditë për qytetarët e konfesionit katolik dhe dita e Kurban Bajramit për besimtarët e fesë islame. Për shqiptarët ditë jo-pune që paguhet është edhe Dita e Alfabetit, 22 Nëntori. Nga ana tjetër, përcjell KOHA, edhe pjesëtarët e komuniteteve të tjera kanë nga një ditë shtesë të paguar si pushim për festat e tyre.
Nga vendet e rajonit, në Shqipëri lejohen 20 ditë pune si pushim vjetor, ndërsa festa zyrtare numërohen 12 ditë. Punëtorët në Kosovë kanë në vjet 31 ditë të paguara, gjegjësisht 20 ditët e pushimit vjetor dhe 11 ditë të festave shtetërore. Punëtorët në Kroaci pushojnë 34 ditë, prej të cilave 20 ditë janë pushim vjetor, ndërsa 14 ditë janë festa shtetërore. Punëtorët në Bosnje e Hercegovinë pushojnë 20 ditë për pushim vjetor dhe në mesatare nga 7 ditë për festat shtetërore. Në Serbi pushojnë 31 ditë, në Mal të Zi pushojnë 25 ditë, ndërsa punëtorët grek pushojnë 26 ditë. Sipas analizave, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ekonomia e vetme e avancuar në botë që nuk garanton se do të paguajë pushimin vjetor të punëtorëve, për dallim prej shteteve evropiane që kanë vendosur kornizë legale prej së paku 20 ditë të pushimit vjetor me luhatje prej 25 dhe 30 ditë apo edhe më shumë në disa shtete. Në korniza botërore, në SHBA punëtorët kanë më pak të drejta në raport me shtetet e tjera jo vetëm në lidhje me ditët e pushimit, por edhe të pushimit mjekësor si dhe të sigurimit shëndetësor. Në SHBA, nëse dëshironi pushim vjetor, atë e paguani vetë nga xhepi, për shkak se ligjet amerikane ofrojnë zero ditë për punëtorët, megjithatë punëdhënësit në mesatare japin nga 12 ditë të pushimit vjetor për amerikanët. “Shtetet e Bashkuara janë ekonomia e vetme e përparuar në botë që nuk garanton që punëtorëve të saj do t’ju paguan pushimet. Vendet evropiane krijojnë kornizë ligjore për të paktën 20 ditë pushimesh të paguara në vit, me kërkesa ligjore prej 25 dhe madje 30 ose më shumë ditë në disa vende. Australia dhe Zelanda e Re kërkojnë që punëdhënësit të japin së paku 20 ditë pushimi në vit. Kanadaja dhe Japonia ofrojnë të paktën 10 ditë të paguara . Hendeku mes kohës së paguar të punëtorëve në Shtetet e Bashkuara dhe pjesës tjetër të botës është edhe më i madh nëse përfshihen edhe pushimet e paguara për festat e ndryshme, ku Shtetet e Bashkuara nuk ofrojnë asnjë ditë të paguar pushimi , ndërsa shumica e vendeve të tjera të botës ofrojnë të paktën gjashtë ditë pushimi për festat e ndryshme në vit”, tregojnë analizat e Qendrës amerikane për hulumtime ekonomike dhe shoqërore “CEPR”. Sipas analizave të “CEPR”, në mungesë të standardeve qeveritare, pothuajse një në katër amerikanë nuk ka pushim vjetor të paguar (23 për qind) dhe asnjë pushim të paguar për festa (23 për qind). Sipas të dhënave të sondazheve qeveritare, punëtori mesatar në sektorin privat në Shtetet e Bashkuara pranon vetëm rreth dhjetë ditë pushimesh të paguara dhe rreth gjashtë ditë të pushime të paguara në vit për festat. Numri kaq i vogël i ditëve të pushimit të paguar për punëtorët amerikan , është edhe më pak se sa parashikojnë standardet ligjore minimale të vendosur në pjesën tjetër të ekonomive të pasura në botë duke përjashtuar Japoninë e cila garanton vetëm 10 ditë pushimi të paguara dhe nuk kërkon ditë pushimesh të paguara për festat e ndryshme.
DITËT E PAGUARA TË PUSHIMIT
Austri -35 ditë
Portugali-35 ditë
Spanja-34 ditë
Kroacia-34 ditë
Shqipëri-32 ditë
Maqedonia – 31 ditë
Kosovë-31 ditë
Italia-31 ditë
Serbia-31 ditë
Gjermania-30 ditë
Mal i zi- 25 ditë
Greqia-26 ditë
Kanada-19 ditë
Japonia -10 ditë
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara