Bujar KURTAJ
Shkup, 30 prill – Të dielën në Çair do të zhvillohet derbi shqiptar ku do të takohen nikoqiri Shkupi dhe KF Shkëndija nga Tetova. Me 26 pikë epërsi kuqezinjtë do të udhëtojnë në Çair dhe do të sfidohen nga bardhekaltërit, të cilët akoma nuk e kanë të sigurt mbijetesën, respektivisht pozitën e tetë e cila qon në balotazh për mbijetesë. Në anën tjetër edhe kuqezinjtë matematikisht ende janë në luftë për titullin e kampionit përkundër faktit se aktualisht kanë 10 pikë më pak, ndërsa deri në fund të kampionatit ka edhe shtatë xhirot, ku në lojë janë 21 pikë. Prandaj fitorja në përplasjen e së dielës në stadiumin në Çair, ka vlera të mëdha për të dyja palët. Tre pikët fals të kuqezinjve, mund të kushtojnë titullin, ndërsa Shkupi edhe me një rezultat të barabartë do të ishte e kënaqur duke marr parasysh kualitetin që kanë kundrejt kundërshtarit.
“Sigurisht se për të gjitha ekipet orari është shumë i ngjeshur, duke marrë parasysh se po luajmë nga dy ndeshje brenda një jave, andaj kemi shumë pak kohë për rikuperim. Por para se gjithash më gëzon fakti se ekipi ynë është në formë të mirë dhe kemi marrë rezultate të lakmueshme. Padyshim se Shkëndija ka një ekip të mirë dhe respektuese, por ne nuk do të dorëzohemi në asnjë moment, pasi si në të gjitha ndeshjet, do të kërkojmë të marrim rezultat pozitiv dhe të sigurojmë sa më herët që është e mundur ekzistencën. Edhe pse Shkëndija do të kërkojë pikë për të mbetur në garë me shpresë për titull, mendoj se 10 pikët diferencë janë të mëdha. Pas fitores ndaj Rabotniçkit kemi bërë një hap të madh drejt ekzistencës, ndërsa këtë duhet ta vërtetojmë edhe në ndeshjet që pasojnë”, tha për faqen e klubit Sedat Berisha, i cili kthehet në ekip pas mungesës për shkak pesë kartonëve të verdhë. Ndryshe, ndaj Shkëndijës, Shkupi do të luajë pa mbrojtësin Dimitrija Llazarevski shkaku i lëndimit, Emmanuel Mbella edhe më tej nuk është shëruar, ndërsa në duelin ndaj Rabotniçkit është lënduar edhe Jasir Asani. Për shkak pesë kartonëve të verdhë trajneri Ardian Nuhiu nuk mundë të llogarit as në harbimet e Muharem Bajramit.
Njëri prej futbollistëve më të talentuar në radhët e Shkëndijës, Ennur Totre thotë se ndeshja me Shkupin do të jetë një ndeshje tjetër interesante, ndërsa në Shkup do të vijnë për ti fituar tre pikët. “Ndeshje tjetër interesante për ne në të cilën duam të tregojmë vazhdimësi. Jemi prapa vendit të parë me pikë, por me kualifikimin në finale dhe fitoren e fundit kemi treguar vlerat tona. Ne do të vazhdojmë të luajmë për fitore në çdo takim të radhës. Shkupi ka ekip të mirë, luajnë për të shmangur pozitat e rrezikut dhe do të kenë motivet e tyre. Mirëpo ne hyjmë për tre pikë dhe uroj t’ia dalim”, deklaroi për gazetën KOHA, Ennur Totre.
Në përballjet tjera, veçohet përballja mes Renovës dhe Rabotniçkit, ku me tre pikë të reja, djemtë e trajnerit Qatip Osmani do të rrisin gjasat për pozitën e tretë. Kampioni aktual Vardari do të pret Pobedën dhe nuk pritet të bën ndonjë hap fals. Të gjitha ndeshjet e javës së 30 do të luhen të dielën në ora 16.00.
Dyshet:
Shkupi – Shëndija
Sileksi – Bregallnica
Vardari – Pobeda
Pelisteri – Mak.Gj.P.
Renova – Rabotniçki