Zejnulla VESELI
Shkup, 1 mars – Amvisëri më të varfra në Maqedoni janë familjet tre anëtarëshe, të cilat në vitin 2014 për të kaluar muajin në disponim kanë pasur 89 euro në muaj, apo 31.6 euro për çdo anëtar, respektivisht një anëtar në ditë për harxhime ka në diskonim rreth një euro, shkruan gazeta KOHA. Këto janë të dhënat e fundit që dalin nga anketa për shpenzimet e një amvisërie për vitin 2014, të realizuar nga Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS). “Rezultatet e fituara nga anketa e realizuar me amvisëritë prej tre anëtarëve janë tepër shqetësuese për standardin jetësor të qytetarëve. I bie që një anëtar familje ta kalojë muajin me 31 euro, apo deri në fund të muajit brenda ditës të mund të harxhon vetëm 1 euro. Në këtë kategori hyjnë 55.658 amvisëri që përbëjnë 10 për qindëshin nga numri i përgjithshëm i amvisërive në Maqedoni, gjegjësisht me 1 euro në ditë jetojë 160 mijë njerëz, apo 8 për qind nga numri i përgjithshëm i banorëve të Maqedonisë”, thuhet në anketën e ESSH-së. Sipas të dhënave të ESHS-së, në vitin 2014 ekzistojnë familje që ende nuk kanë frigorifer, familje që nuk kanë bojler në banjë, por ka edhe familje që kanë televizor në vlere prej 10 mijë euro si dhe familje tre anëtarshe me tre vetura. “Rezultatet e dala nga anketa e realizuar me amvisëri tre anëtarëshe janë edhe më alarmante, sepse situata e tyre ekonomike krahasuar me vitin 2013, në vitin 2014 edhe më shumë është keqësuar pasi është ulur vlera e parasë krahasuar me çmimet të cilat vazhdimisht po rriten si në tregun e gjelbër, ashtu edhe për aparatet shtëpiake”, thuhet në anketën ESHS-së. Çfarë tregon anketa e realizuar? Gjatë viti 2014 janë anketuar 2.572 amvisëri, nga 558.003 amvisëri sa janë gjithsej në Maqedoni. Prej mbi 2500 amvisërive të anketuara, 9.8 për qind prej tyre janë përgjigjur se nuk kanë lavatriçe, 12.5 për nuk kanë bojler në banjë, 10 për qind nuk kanë fshesë elektrike, 5.7 për qind nuk kanë shporet elektrik, 1.8 për qind janë përgjigjur se ende kanë televizor pa ngjyra, ndërsa 43 për qind e të anketuarve kanë thënë se nuk kanë kompjuter dhe nuk janë të lidhur në internet. Në anën tjetër, 1.7 për qind e amvisërive të anketuara janë përgjigjur se kanë të gjitha pajisjet e mundshme të aparateve elektrike, derisa dikush ka edhe televizor në vlerë deri më 10 mijë euro. Njëkohësisht, anketa tregon dhe një realitet tjetër të standardit jetësor të qytetarëve të Maqedonisë. Vitin 2014 në përgjithësi amvisëritë, për dallim nga viti 2013, kanë pasur më pak para. Në një familje më të varfër, në vitin 2013 një anëtar i familjes brenda një muaji ka pasur në disponim 38 euro, ndërsa në vitin 2014 diçka më shumë se 31 euro. Ndërkohë edhe te familjet e pasura brenda një viti është ulur standardi jetësor i tyre, kështu nëse në vitin 2013 brenda një muaji kanë pasur në disponim 217 euro, në vitin 2014 janë zvogëluar për 24 euro.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.