Dibër, 9 shkurt – Edhe pse asnjëherë nuk paraqiten numri i saktë rreth rasteve të dhunës në familje, sërish nga Qendra ndërkomunale për punë sociale në Dibër, theksojnë se dukuria është prezent dhe në rritje, ku përveç dhunës që i bëhet gruas, ka edhe dhunë kundër të moshuarve, gjegjësisht prindërve Punëtori sociale në Qendrën ndërkomunale për punës sociale në Dibër, Ismail Mersimoski, i cili merret një kohë të gjatë me këtë problematikë, thekson se është një dukuri që gjatë vitit të kaluar, gjegjësisht 2016, ishte në rritje, me çka janë regjistruar 14 raste të dhunës, edhe atë dhunë drastike si dhe dhunë psikike, që do të thotë se ka një rritje të dhunës, pasi që në vitin 2015 pati nëntë raste, ndërsa në vitin 2014 janë regjistruar tetë raste. Ne si institucion kemi ndërmarr të gjitha obligimet ligjore për këtë çështje, por nuk janë të rralla rastet kur ne trajtojmë këto probleme. Të dhënat tona thonë se ka më shumë raste të dhunës në familje, por qëndron fakti se ata nuk paraqiten në institucionet adekuate, thotë Mersimoski. Por, sipas tij, pos dhunës ku kryesisht është viktimë gruaja ka edhe dhunë ndaj të moshuarve, kryesisht prindërve, ku si shkaqe kryesore thuhet se janë problemet pronësore dhe interesat materiale mes prindërve dhe fëmijëve. Sa i takon dhunës ndaj grave, problemi është prezent një kohë më të gjatë. Në Qendrën për punë sociale në Dibër, thonë se edhe në këtë lëmi një pjesë e mirë e rasteve nuk paraqiten. Kohëve të fundit rastet të cilët paraqiten kanë filluar të trajtohen me sukses nga ekipi i përzier i institucioneve në përputhje me Ligjin. Shkaqe kryesore në këtë drejtim kur është në pyetje dhuna në familje, janë problemet ekstreme sociale, papunësia e madhe etj. Qendra për punës sociale ka ekip special që trajton këtë dukuri dhe u jep përkrahje personave të dhunuar. Në këtë institucion shtojnë se me ligjin e ri në këtë sferë i jepet një mbrojtje maksimale personit të dhunuar, por problemi i dhunës në familje vazhdon të mbetet tabu temë. Nëpër familje, për shkak të problemeve sociale, kryesisht dhunohen femrat, respektivisht gratë. Ka pasur raste kur të dhunuar kanë qenë edhe pleqtë, kryesisht për probleme juridiko-pronësore. Dhuna është prezent si në qytet ashtu edhe në fshatra. (V.S)