Republika Demokratike e Kongos (DRC) ka numrin më të madh të personave të zhvendosur brenda vendit. Sipas Kombeve të Bashkuara, gati gjysmë milioni njerëz u zhvendosën në provincën juglindore të Tanganyika në mes korrikut 2016 dhe marsit të vitit 2017. Fshatarët ikën nga shtëpitë e tyre për të shpëtuar nga luftimet ndërkomunale midis grupeve etnike Twa dhe Luba një grupi etnik bantu, raportoi “Al Jazeera”, transmeton Periskopi. Rreth 250,000 njerëz të zhvendosur brenda vendit tani jetojnë në vendbanimet refugjatësh rreth qytetit të Kalemisë, kryeqytetit të provincës Tanganyika. Shumica e tyre kanë qasje të kufizuar në kujdesin shëndetësor dhe përballen me mungesa ekstreme të ushqimit, ujit dhe strehimit. Shkalla e vdekshmërisë për fëmijët nën pesë vjeç është e barabartë me atë që pritet gjatë fazës akute të një emergjence. Por njerëzit këtu kanë jetuar në këto kushte për muaj të tërë. “Ata i kanë mbijetuar disa sulmeve të dhunshme dhe kanë qenë të detyruar të braktisin vendbanimin e tyre të mëparshëm. Ata kanë humbur pasuritë e tyre dhe nuk kanë asgjë”, shpjegon Stephane Reynier de Montlaux, një koordinatore emergjente për Mjekët pa Kufij (të njohur nga inicialet e saj franceze, MSF). Më 4 gusht, rreth 50 vetë u vranë në përleshjet mes Twa dhe Luba pranë qytetit të Kalemies. Zyrtarët e OKB-së thonë se ata janë të shqetësuar se dhuna po përshkallëzohet.