Nga Dr. Ramiz ABDYLI
Në mbarim të Luftës së Parë Botërore, Shqipëria ishte e pushtuar nga ushtritë fituese të Luftës (Greqia, Italia dhe Serbia), ndërsa Trojet Lindore u pushtuan nga ushtria serbe, me ndihmën e aleates së saj, ushtrisë franceze. Vetëm Plava e Gucia mbetën të pa pushtuara. Ato, në krye me Hasan Ferrin, edhe për katër muaj të tjerë i bënë ballë sulmeve të ushtrisë serbe, rrjedhimisht, të Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene. Nikolla Pashiq, kryeministër i Serbisë, duke qenë në dijeni për qëndresën e këtyre krahinave kundër pushtimit malazez, që nga Lidhja e Prizrenit, hezitoi t’i sulmonte ato, për t’i kursyer ushtarët e tij. Prandaj ai parapëlqeu pushtimin e këtyre krahinave “në mënyrë paqësore”. Ndërkohë N. Pashiq urdhëroi ushtrinë e tij të pushtonte Shkodrën, para se ajo të merrej nga Italia. Mirëpo, pushtimi i saj nuk ndodhi, sepse ky qytet u vu nën kontrollin e ushtrive aleate (Francës, Britanisë dhe Italisë).
Pas dështimit të përpjekjeve dymujore të Serbisë, rrjedhimisht Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene, për pushtimin e Plavës dhe Gucisë në “mënyre paqësore”, në janar të vitit 1919, filluan përpjekjet serioze të saj për pushtimin e këtyre krahinave. Për të parandaluar pushtimin e tyre si dhe çlirimin e Kosovës historike, Komiteti “Mbrojtja e Kombëtare e Kosovës”, në krye Hoxhë Kadri Prishtinën, zhvilloi një aktivitet të ngjeshur diplomatik. Në këtë kohë ky atdhetar i shquar, me drejtues të tjerë të Komitetit, dolën me idenë për instalimin e një Administrate ndërkombëtare në Kosovë, që do të thoshte në Trojet Lindore Shqiptare, të pushtuara nga Serbia. Ky projekt, mendohej të jetësohej me angazhimin e shteteve fituese të Luftës së Parë Botërore, në radhë të parë të “Katërshit të Madh” (SHBA, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Italia). Komiteti ishte i interesuar që deri në realizimin e këtij projekti, Plava e Gucia ta ruanin pavarësinë. Për jetësimin e këtij projekti shpresohej shumë në ndihmën e këtyre Fuqive të Mëdha, sidomos të kryetarit të SHBA. Duke iu referuar parimeve të tij, Hysni Curri, njëri nga aktivistët e shquar të Komitetit, i shkruante Hasan Ferrit nga Shkodra: “Ne të gjithë jemi të pshtetun në pikat e të madhit amerikan, Vilson. Me ndihmën e tij do të bahet nji dite nji Shipni e madhe vetësunduese”. Mirëpo, ky projekt ishte shumë vështirë të jetësohej për faktin se Serbia, rrjedhimisht Mbretëria SKS, kishte mbështetjen e Fuqive të Mëdha evropiane, fituese të luftës, sidomos të Francës. Megjithatë, Komiteti besonte në suksesin e këtij projekti, për çka do të angazhohej me ngulm për jetësimin e tij. Ndërkaq, Hasan Ferri ishte skeptik për jetësimin e tij.
Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, më 16 janar të vitit 1919, dy ditë para fillimit të punimeve të Konferencës së Paqes në Paris, iu drejtua kryetarëve të shteteve të “Katërshit të Madh” (Kryetarit të SHBA, Woodrow Wilson, Kryetarit të Francës, Georges Benjamin Clemenceau, Kryeministrit të Britanisë së Madhe, David Lloyd George dhe Kryetarit të Italisë, Vittorio Orlando), me kërkesë që të përmirësoheshin padrejtësitë që iu bënë shqiptarëve nga Fuqitë e Mëdha në Kongresin e Berlinit (1878) dhe në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913). Për të pasur efektin e duhur, kërkesa u dërgua në emër të Hasan Ferrit dhe parisë së Plavës e Gucisë, përfaqësues të ligjshëm të këtyre krahinave. Kërkesë me përmbajtje të ngjashme iu dërgua kryetarëve të këtij katërshi edhe në emër të Bajram Currit dhe parisë së Krasniqes, e cila ndonëse gjendej brenda kufijve të Shqipërisë londineze, ishte pushtuar nga ushtria e Mbretërisë SKS, me arsyetimin e “mbrojtjes së kufijve të saj strategjikë”.
Në këtë kërkesë, kryetarët e shteteve të “Katërshit të Madh”, alarmoheshin nga rreziku që po i kërcënohej Plavës e Gucisë prej pushtimit nga Mbretëria SKS. Ata viheshin në dijeni për dhunën e gjenocidin që ishte ushtruar në këto krahina nga ushtria e Malit të Zi gjatë periudhës së pushimit të tyre (1912-1915). Kjo ilustrohej me shembuj të vrasjeve të mijëra shqiptarëve nga regjimi ushtarak i Malit të Zi mbi shqiptarët, përfshi edhe ndërrimin e dhunshëm të fesë. Në telegram thuhej se dhuna mbi shqiptarët e Trojeve Lindore kishte vazhduar edhe pas ripushtimit të tyre nga Serbia (në tetor të vitit 1918), si dhe vazhduesja e saj, Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene. Këta kryetarë luteshin që me autoritetin e tyre të parandalonin tragjedinë e radhës, që e kishte mbërthyer popullin shqiptar të këtyre trojeve dhe kërkohej prej tyre të mos vazhdonin edhe më tej të bëheshin me “veshë të shurdhër” kundrejt gjithë atyre tmerreve që po përjetonte populli shqiptar në këto troje. Argumentohej se tashmë Mbretëria SKS kishte bërë krime të shumta mbi shqiptarët e Beranës, Akovës (Bijello Polje),Tregut të Ri, Senicës, Pejës e në vise të tjera të Kosovës historike. Tërhiqej vërejtja se, si rrjedhojë e “heshtjes së Fuqive të Mëdha, egërsirat sllave pa asnjë të drejtë po derdhin gjakun e një shumice shqiptare, pa kursyer gratë, fëmijë e pleqtë”. Vihej në dukje se ata po plaçkitnin gjithçka që mund të bartej dhe po përvetësonin pasurinë e tyre, duke dhënë alarmin se ushtria e kësaj Mbretërie po përpiqej “ta zhduk racën shqiptare në Kosovë”. Në fund të telegramit kërkohej nga kryetarët e “Katërshit të Madh”, që në Kosovë të vendosej një “Administratë ndërkombëtare”, si një zgjidhje e përkohshme e çështjes shqiptare derisa Tokat Lindore të bashkoheshin me Shqipërinë. Besohej se kështu do të shmangej dhuna, që nuk kishte të ndalur në gjithë Kosovën historike. Theksohej se angazhimi i “Katërshit të Madh”, për të evituar gjendjen e padurueshme në Kosovë, përbënte për ta obligim moral si themelues të lirive e të drejtave të popujve dhe luteshin që ta jetësonin sa më parë kërkesën e shtruar prej tyre “në emër të mbrojtjes se njerëzimit”, që kështu t’i jepej fund “krimeve djallëzore të Serbisë”. Teksti përfundonte me fjalët: “Ju lutemi të angazhoheni për instalimin e një Administrate Ndërkombëtare në Kosovë. Për këtë shprehim nderimet dhe emocionet tona më të thella”. Pasojnë emrat e parisë së Plavës e Gucisë, me Hasan Ferrin në krye. Kërkesë me përmbajtje të ngjashme iu dërgua “Katërshit të Madh” nga Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” në emër të Bajram Currit dhe parisë së Krasniqes. Hoxhë Kadri Prishtina do t’i drejtohej veçmas me një telegram Kryetarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Woodrow Wilson, në emër të Hasan Ferrit dhe parisë së Plavës (28 janar 1919). Në telegram thuhej se Kosova i kishte varur shpresat tek ky kryetar, duke iu referuar 14 pikave të tij, “përcaktuese të Paqes”, rrjedhimisht pikës së 11, sipas të cilës “marrëdhëniet midis popujve të Ballkanit do të rregulloheshin mbi bazën e linjave të përkatësisë kombëtare”, që nënkuptonte të drejtën e shqiptarëve për “veturdhnim”. Vihej re se përfaqësuesit shqiptarë të Kosovës i kishin parashtruar disa herë ankesa e kërkesa të tjera Fuqive të Mëdha, për të parandaluar tragjedinë që po ju bëhej shqiptarëve në gjithë Trojet Lindore nga regjimi “serbo-malazez”. Ishte kërkuar nga Woodrow Wilson, “themelues i parimeve të lirisë e të drejtave të kombeve dhe mbrojtjes së njerëzimit”, që “deri sa të përfundojë paqja” (mendohet në Konferencën e Paqes në Paris, R.A), “Kosova të hyjë në një Administratë Internacionale”, si fazë kalimtare drejt bashkimit të saj me Shqipërinë. Telegrami përfundonte me fjalët: ”Këtë e lusim me përshtypjet tona dhe emocionet më të thella“. Pason emri i Hasan Ferrit etj. Kërkesat e parashtruara në dy telegramet e mësipërme nuk reflektuan në përmirësimin e gjendjes në Kosovë dhe në Plavë e Guci. Kabineti i Kryetarit të SHBA-së, Woodrow Wilson, iu përgjigj shkresës së Hasan Ferrit e parisë së Plavës e Gucisë, më 15 shkurt 1919. Në telegram, midis tjerash, thuhej: “Hirësia e tij, Kryetari Wilson, me anë të telegramit, është informuar për gjendjen e mjerueshme që mbretëronte në Kosovë në fund të luftës, se kalimi nëpër Kosovë i ushtrive të forcave aleate (të Francës dhe të Serbisë, R.A)) u bë në kundërshtim me shpresën tonë që Kosova të mos mbetej nën sundimin e Serbisë…”. Thuhej se Kryetari W. Wilson “obligohej që ankesa e tyre (Hasan Ferrit me pari, R.A) do të dëgjohen me veshin e drejtësisë e të kundërshtimit që keni ngritur”. Bashkë me këtë shkresë iu dërgua Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” “një material lidhur me një statistikë të popullsisë së Kosovës”.
Ndërkohë Hoxhë Kadriu me bashkëveprimtarë të Komitetit hodhën idenë për vënien e Plavës dhe Gucisë në një “Administratë ndërkombëtare”, si një variant të mundshëm për të parandaluar tragjedinë që do t’i ndodhte këtyre krahinave. Për këtë ide ai e vinte në dijeni Hasan Ferrin me pari, se kishte parashtruar kërkesë para kryetarëve të “Katërshit të Madh”, për të parandaluar sulmin e ushtrisë së Mbretërisë SKS dhe kishte kërkuar vendosjen e “një Administrate Internacionale” në këto krahina. Po kështu, Hasan Ferri me pari vihej në dijeni se Ismail Nikoçi, përfaqësues i Plavës e Gucisë pranë Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” në Shkodër, ishte takuar me gjeneralin Philips dhe kolonelin Fourtu, përfaqësues të forcave Aleate britanike e franceze në Shkodër, për të arsyetuar propozimin për administrimin ndërkombëtar të këtyre krahinave.
Krahas propozimeve të mësipërme për parandalimin e pushtimit të Plavës e të Gucisë, Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, në fillim të shkurt 1919, doli edhe me propozimin për “krijimin e një qeverie në Plavë e Guci”. Për këtë ide Hysni Curri e informonte Hasan Ferrin dhe Shaban Agën, se po bëheshin përpjekje për të ndërgjegjësuar përfaqësuesit e Fuqive Aleate në Shkodër, për krijimin e kësaj “qeverie” derisa të përfundonin punimet e Konferencës së Paqes në Versajë pranë Parisit. Kjo bëhej e ditur edhe nga një shkresë e Hoxhë Kadriut, që ia drejtonte Hasan Ferrit dhe parisë së krahinave. Përmes saj ishin bërë përpjekje pranë kabineteve të Francës, Britanisë dhe Italisë, që Plava e Gucia të viheshin nën mbrojtjen e këtyre fuqive për të shpëtuar nga “kthetrat e serbëve”, për çka atij i ishin dhënë “premtime të duhuna”.
Ndërkohë, Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, kishte marrë premtime nga përfaqësitë e ushtrive aleate në Shkodër për mbrojtjen e Plavës e Gucisë. Ismail Nikoçi i shkruante për këtë Hasan Ferrit se që të tri përfaqësitë e komandës ushtarake në Shkodër (Francës, Britanisë dhe Italisë, r.a.) i kishin garantuar përfaqësuesve të Komitetit, sidomos komandanti francez, se “krahinat e Plavës dhe Gucisë do të mbesin së shpejti, porsi Shkodra nën Administratën Internacionale”. Si prova të këtyre premtimeve ata ia dërguan Hasan Ferrit me pari kopjet e telegrameve, që ju kishin dërguar përfaqësuesve të këtyre ushtrive Drejtuesit e Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, të entusiazmuar nga këto premtime, kërkonin nga Hasan Ferri që të mbahej rendi e siguria në Plavë e Guci derisa atje të shkonte“Ushtria Intrerancionale” ( e Fuqive të Mëdha, r.a) .Ato ditë, Hoxhë Kadri Prishtina i shkruante Hasan Ferrit se kishte marrë një shkresë nga komandanti i forcave të Mbretërisë së Bashkuar në Shkodër, gjenerali Philips, si dhe nga komandanti i forcave franceze në këtë qytet, koloneli Fourtu. Premtohej se ushtritë e tyre do të merrnin në mbrojtje jo vetëm Plavën e Gucinë, por edhe “Pejën e Gjakovën”, se këto krahina do të ishin “nën “Administrimin Internacional” dhe më pas do të bashkoheshin me shtetin shqiptar. Por brenda kufijve të Shqipërisë nuk do të përfshihej Prishtina dhe Shkupi. Në një shkresë tjetër, që i drejtohej Hasan Ferrit nga Hoxhë Kadri Prishtina, në fillim të shkurtit 1919, thuhej se ky sukses ishte arritur pas 50 kërkesave të tjera të Komitetit, që i ishin dërguar përfaqësuesve të forcave aleate në Shkodër. Hasan Ferri me parinë e Plavës dhe Gucisë, në fund të janarit 1919, viheshin edhe një herë në dijeni nga drejtuesit e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” se ishin marrë garanci nga përfaqësuesit e Forcave Aleate në Shkodër, se Plava e Gucia nuk do të sulmoheshin nga “Serbët e Malazezët” (Mbretëria SKS, R.A). Premtimi u dha pas shkuarjes në Shkodër të komandantit të Armatës së Lindjes me seli në Selanik, gjeneralit Franchet d’Espèry. Ky gjeneral francez, për të mbrojtur popullin e krahinave dhe për hir të “trimërisë së dëshmuar të burrave të tyre” (në luftë me Malin e Zi, r.a.) urdhëroi që “të mos okupohet Plava e Gucia nga ana e serbo malazezve”, duke e përgëzuar për këtë sukses Hasan Ferrin dhe parinë e Plavës e Gucisë. Mirëpo, urdhri i këtij gjenerali binte ndesh me politikën e vendit të tij që ndiqte ndaj Serbisë, prej kohës aleate e Francës, sidomos përgjatë Luftës së Parë Botërore.
Premtimet që iu dhanë Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” nga përfaqësitë e ushtrive Aleate të Britanisë dhe Francës në Shkodër, për të mos lejuar Mbretërinë SKS të pushtonte Plavën e Gucinë, qenë fjalë boshe. Doli se Hasan Ferri kishte pas të drejtë. Këto shtete që mbronin prej kohësh interesat e Greqisë e të Serbisë, kundërshtuan 14 kërkesat e W. Wilson për “rregullimin e rendit të ri botëror”, sidomos të drejtën e popujve për “Vetëvendosje”. Kjo linte të kuptohej se këtë të drejtë nuk mund ta gëzonin Trojet Lindore Shqiptare. Madje, këto dy Fuqi të Mëdha synonin edhe copëtimin e Shqipërisë midis Greqisë dhe Mbretërisë SKS. Mirëpo, ky projekt djallëzor i tyre nuk u jetësua falë angazhimit këmbëngulës të Kryetarit të SHBA-së, Woodrow Wilson.
Rrjedhimisht, pas një lufte të pabarabartë midis mbrojtësve dhe agresorëve, Plava e Gucia u pushtuan nga ushtria e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene. Atëherë ndodhi ploja dhe gjenocidi i dytë me radhë “serbo-malazez” në këto krahina (pas 7 vitesh). Komandanti i forcave Aleate në Selanik, gjenerali Franchet d’Espèry, për dështimin e përpjekjeve të tij fisnike për shpëtimin e shqiptarëve të këtyre krahinave nga gjenocidi sllav, shkroi: “U përpoqëm tepër ta përçonim porosinë në veshët e Evropës së qytetëruar për qëllimet kriminale të sllavëve, u lutëm tepër për të dërguar në Guci dhe në Plavë një ushtri të paktë, e kështu të mbrohej jeta e nderi i 24.000 njerëzve të pafajshëm” (…) shqiptarët që rastësisht u dolën përpara, i vranë…”. Plani i tij për mbrojtjen e këtyre krahinave dështoi për faktin se: “Sikur në Plavë e Guci të ishte ndodhur edhe një detashment ushtarak i Aleatëve, nuk do të ishte marrë nëpër këmbë jeta, pasuria…vatra shekullore nuk do u shuhej dhe gratë e fëmijët nuk do të refugjonin nëpër male me borë…”.
Turhan Pashë Përmeti, kryeministër i Shqipërisë, i cili kryesoi delegacionin shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, pranë përfaqësuesve të shteteve pjesëmarrëse të saj parashtroi një ankesë me shkrim, në të cilën dënoheshin krimet e ushtrisë së Mbretërisë SKS mbi popullatën Shqiptare në trojet e Kosovës, përfshi edhe Plavën e Gucinë. Midis tjerash, në ankesë thuhej se terrori mbi shqiptarët e këtyre krahinave ishte ushtruar kryesisht mbi fëmijët, gratë e pleqtë nga malazezët dhe ushtria e Mbretërisë SKS, duke kërkuar që kriminelët të nxirreshin para drejtësisë. Në Plavë e Guci pasoi periudha e gjatë e dhunës dhe represionit në shenjë hakmarrje ndaj qëndresës epike të burrave të tyre kundër pushtimit Serbo-Malazez. Në mbrojtje të kufirit në Qafë të Çakorrit ranë trimërisht me mijëra trima të këtyre krahinave dhe të krahinave për rreth tyre. Kjo pati si rrjedhojë shpërnguljen e shqiptarëve të këtyre krahinave në Shqipëri, Kosovë e përtej Atlantikut. Shumica e pjesës së tyre të mbetur në vendlindje, me kalimin e kohës përqafuan serbishten, rrjedhimisht u boshnjakizuan, për t’iu shmangur kështu represionit. Konsiderojmë se është detyre e shtetit të Kosovës, që të kërkojë nga Mali i Zi krijimin e parakushteve për kthimin e shqiptarëve të këtyre krahinave në vendlindjen e tyre, ku do t’i gëzonin të gjitha të drejtat e minoritetit sipas standardeve evropiane.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara