Dhjetë mijë punësime të reja është planifikuar të realizohen me masat dhe programet nga Plani operativ për punësim për vitin 2017, për çka janë paraparë 14 milionë e 200 mijë euro, ose 2,6 milionë euro më shumë nga viti i kaluar. Nga numri i përgjithshëm i vendeve të reja të punës të planifikuara pjesa më e madhe ose rreth 5.000 pritet të krijohen përmes projektit “Maqedonia punëson 2”.
“Me realizimin e këtij Plani operativ presim hapje të rreth 10.000 vendeve të reja të punës, së bashku me ‘Maqedonia punëson 2’ me ç’rast jashtëzakonisht do të kontribuohet për ulje të papunësisë të cilën vitin e ardhshëm planifikojmë të jetë nën 22 për qind, ndërsa deri në vitin 2020 të zvogëlohet në 17 deri në 18 për qind”, theksoi në konferencën e sotme për shtyp zëvendëskryeministri i obliguar për çështje ekonomike Vlladimir Peshevski.
Në kuadër të Planit operativ, i miratuar në seancën e fundit qeveritare, është paraparë implementimi i 22 programeve dhe masave për punësim dhe 11 shërbime në tregun e punës, ndërsa numri i përgjithshëm i pjesëmarrësve në aktivitetet e parapara pritet të tejkalojë 41 mijë persona.
Peshevski informoi se vazhdon edhe mbështetja për personat me pengesë të cilët do të mund të fitojnë grant nga 4,5 mijë euro për hapje të 50 mikrokompanive të reja, por edhe subvencionimin e kompanive për hapje të vendeve të punës për këta persona.Pritet që këto masa të gjenerojnë 50 vende të reja pune. Vazhdojnë edhe projektet për mbështetje për hapje të kopshteve private për fëmijë dhe shtëpive të pleqve me grante prej 10 gjegjësisht 12.500 euro të cilët do të duhet të krijojnë rreth 80 vende të reja pune.
Plani përfshin edhe organizim të trajnimeve për mbi 7.200 të papunë që të fitojnë shkathtësi dhe dijeni të reja me ç’rast do t’u rriten shanset për punësim. Në mënyrë plotësuese mbi 11 lloje të shërbimeve nga APRM-ja pritet të përfshihen 27.200 persona.
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë si prioritet të lartë e vendosi luftën me papunësinë. Kjo luftë vazhdon dhe do të zgjasë derisa nuk realizohet qëllimi ynë që çdo qytetar të fitoj mundësi që të punojë, të kontribuojë për veten, familjen e tij dhe zhvillimin e shtetit”, tha zëvendëskryeministri Peshevski.
Ministri i Punës dhe Politikës Sociale Ibrahim Ibrahimi theksoi se me Planin konfirmohen programet, masat dhe shërbimet për punësim të cilat do të zbatohen për, siç tha, të përmirësohet funksionimi i tregut të punës, të mbështetet krijimi i vendeve të reja të punës dhe të rritet punësimi i persona të papunë.
“Të gjithë personat e papunë të cilët janë evidentuar në Agjencinë e Punësimit të RM-së si kërkues aktiv të punës kanë qasje deri te shërbimet dhe programet, gjegjësisht masat për punësim të konfirmuara me Planin. E drejta e pjesëmarrjes përcaktohet në bazë të kushteve dhe kritereve të definuara për çdo shërbim dhe program veçmas, gjegjësisht masës për punësim, ndërsa si rregull e përgjithshme insistohet të arrihet përfaqësim i barabartë i grave dhe burrave, si dhe pjesëmarrje e personave të rinj deri në moshën 29 vjeçare prej të paktën 30 për qind”, theksoi Ibrahimi.
Drejtori i APRM Vlatko Poposki theksoi se shpalljet për masa e caktuara dhe aktivitetet do të fillojnë të publikohen tashmë nga e hëna, me çka siç tha, të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë do të njihen veçmas me rregullat e shpalljes për këtë masë, me kushtet për aplikim.
Drejtoresha e Qendrës për punësim nga Shkupi Sllobodanka Aleksovska theksoi se edhe në këtë Plan operues vendoset në përqendrimi në rritjen e punësimit të grave.
Nëpërmjet këtyre por edhe politikave tjera komplementare ekonomike, programeve dhe masave, Qeveria deri tani krijoi kushte dhe nxiti hapje të mbi 168.000 vendeve të reja të punës në ekonomi, ndërsa papunësia prej 38 për qind në vitin 2005 u ulë në 23.4 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2016.