Qenan HASANI
Manastir, 10 maj – Kanë kaluar më shumë se 11 vite që kur Shkolla tetëvjeçare “Pere Toshev”, me vendim të ministrit të atëhershëm të Arsimit, Sulejman Rushiti, është transferuar nga fshati Dupjaçani në fshatin Desovë, nga ishin edhe mbi 80 për qind të nxënësve, që edhe ishte kushti për t’u kryer transferimi, shkruan gazeta KOHA. Edhe pse rezistuan banorët, respektivisht prindërit e nxënësve pakicë të fshatrave Dupjaçan, Drenovci, Nebregova etj., të cilët me numër të cunguar paralelesh dhe arsimtarësh, vazhdoi të funksionojë deri në ditët e sotme. Pas kësaj kohe, prindërit e nxënësve shqiptarë e boshnjakë, me pëlqimin edhe të atyre pak maqedonasve të mbetur, parashtruan kërkesën për ndërrim të emrit të shkollës. Kërkesës i dha “vizë” edhe Këshilli komunal dhe zyrtarisht, në emër të Komunës kërkesa u dërgua deri në Ministrinë në fjalë. Prej dorëzimit të kërkesës kanë kaluar më shumë se tetë vite, deri më tani s’ka kurrfarë përgjigje, as pozitive, e as negative. Afedin Afmedovski, ish drejtor i shkollës, në mandatin e të cilit u dorëzua kërkesa, shprehet se edhe kjo kërkesë që ka të bëjë me ndërrim emrit të një personaliteti maqedonas, përjeton fatin e kërkesave të shumta të parashtruara nga shqiptarët. “Ministria deri më tani ka injoruar kërkesat e shqiptarëve, sidomos të kërkesës sonë, me të cilën kërkojmë ndërrimin e emrit të një vojvode e ta pagëzojmë me emër që do t’u përshtatet edhe neve shqiptarëve, edhe boshnjakëve po edhe maqedonasve”, thotë për KOHA, Afedini. Edhe pas tetë vitesh nuk kanë humbur shpresat se kjo kërkesë nuk do të zgjidhet. Ata janë optimistë që mund të shihet nga mendimi i Afedinit. “Me ndryshimet eventuale që pritet të ndodhin dhe me krijimin e një demokracie të vërtetë, shpresojmë se Qeveria e re do të sjellë shumë ndryshime pozitive dhe se kërkesat e shqiptarëve nuk do të injorohen, siç ndodhte deri më tani”, shprehet me optimizëm të theksuar Afedini.
Afedini, i vetmi arsimtar i diplomuar nga ky fshat, ishte iniciatori për rihapjen e paraleles shqipe, respektivisht kthimin e gjuhës shqipe pas 40 vitesh në Desovë dhe drejtori i parë i tetëvjeçares, i cili me ndihmën edhe të ministrit Rushiti, vetëm për nëntë nxënës shqiptarë hapën tetëvjeçaren në gjuhën shqipe, që edhe ishte dhe mbeti suksesi më i madh i atyre pak shqiptarëve të mbetur.
Sot, sipas të dhënave, në 18 paralelet e kësaj shkollë procesin edukativo arsimor e ndjekin gjithsej 233 filloristë, nga të cilët 172 nxënës janë të fshatit Desovë, të tjerët janë të pesë paraleleve periferike. Procesi edukativ arsimor zhvillohet në gjuhën shqipe dhe atë maqedonishte, kurse paralelet me mësim në gjuhën shqipe, falë angazhimit të arsimtarëve të fshatit Cërnilishtë, mësimin e ndjekin nga të gjitha lëndët mësimore ekskluzivisht në gjuhën shqipe. Banorët na thanë se gjysmë-maturantët shqiptarë, arsimin e mesëm e vazhdojnë në gjuhën shqipe në gjimnazin “Drita” të Zhitoshës. (koha.mk)