Ideja e shtetit italian ishte e mirë e prekte pikat e duhura. Kështu në Romë parlamenti miratoi një mision ushtarak për mbështetjen e rojës bregdetare libiane. Ndërkohë organizatat jo-qeveritare, që përcillen me anijet e tyre në Detin Mesdhe duhet të detyrohen të mos bashkëpunojnë me kontrabandistët. Por Italia që duhet të përballojë gati e vetme valën e refugjatëve në Mesdhe, nuk ka shënuar ndonjë sukses me këtë strategji. Gjeneralit Khalifa Haftar nuk i besohet. Javën e kaluar në Paris ai u angazhua që të bashkëpunojë me kryeministrin e pafuqishëm, Fayez Saradsh të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht. Por se çfarë nënkupton ai me këtë, Haftar e bëri të qartë, kur ai e cilësoi marrëveshjen e qeverisë Sarradsh me Italinë si shkelje të sovranitetit libian dhe e refuzoi atë. Madje ai bëri thirrje që anijet italiane që ia afrohen Libisë të fundosen. Khalifa Haftar, kryekomandanti i “Ushtrisë Kombëtare Libiane” që kontrollon Lindjen e Libisë do të pengojë suksesin e Sarradshit. Qëllimi i tij është që bashkë me ndihmën e Egjiptit dhe Rusisë të sundojë të gjithë vendin. Egjipti kërkon me këtë t’u japë goditje islamistëve, ndërsa Rusia synon një bazë të re në Mesdhe pas Sirisë. Kremlini kërkon me Haftarin të ketë diçka në dorë kundër Italisë e me këtë kundër BE-së. Por një sukses e ka arritur qeveria italiane- Ajo konfiskoi anijen e organizatës gjermane “Rinia shpëton”, që me gjasa nuk ka shpëtuar njerëzit nga mbytja, por i ka marrë ata direkt nga kontrabandistët. Human Rights Watch, Amnesty International ngritën zërin: Vërtet të shpëtosh njerëzit nuk është krim, por atyre u duhet thënë se tregtia me njerëzit është një vepër penale. Fluksi i emigrantëve nga Afrika përmes Libisë do të vazhdojë, për sa kohë në Libi nuk ka një shtet funksionues. Kjo është e vërteta e thjeshtë. Prandaj të çudit më shumë, që bashkësia ndërkombëtare, duke injoruar realitetin, ende beson se mund të vendosë qeveri nga jashtë, si ajo e Sarradshit që mbeten pa fuqi. Atomizimi i Libisë po përparon – milicët vendorë ushtrojnë pushtetin e tyre, një qytet lufton kundër tjetrit -për disa milicë trafikimi është një pazar shumë i leverdishëm. Kush do të paqësojë Libinë, duhet t’u marrë pushtetin milicëve. E këtë mund ta bëjnë tani vetëm fiset e mëdha, tek të cilat po rritet ndërkohë pakënaqësia kundër sundimit të milicëve.
NË UJËRAT E LIBISË SHPËTOHEN 139 EMIGRANTË TË PALIGJSHËM
Forcat Detare të Qeverisë së Marrëveshjes Kombëtare (QMK) në Libi, kanë shpëtuar 139 emigrantë të paligjshëm. Zëdhënësi i Forcave Detare, koloneli Ejup Kasim, në deklaratën e tij për agjencinë zyrtare të vendit, LANA, theksoi se janë shpëtuar 139 emigrantë të paligjshëm nga një gomone e cila ishte duke transportuar emigrantë në 20 milje detare larg prej kryeqytetit Tripoli. Kasim duke theksuar se emigrantët e shpëtuar kanë shtetësi të vendeve të ndryshme afrikane, tha se mes tyre gjenden 5 gra dhe 3 fëmijë.