Shkup, 30 nëntor – Disfata nga Vardari dhe barazimi ndaj Rabotniçkit, nuk u kanë dhënë qetësi dy skuadrave shqiptare Renovës dhe Shkëndijës për tu përgatitur sa më mirë për ndeshjen e radhës, që do ta zhvillojnë ndërmjet vete. Gjithsesi për djemtë e trajnerit Qatip Osmani dhe Jeton Beqiri e rëndësishme do të jetë që sot (e mërkurë) të arrihet fitore, pasi ajo u nevojitet të dyja skuadrave, bardhekaltërve për të ngelur në hap për marrjen e kreut (pozitën e tretë), kurse kuqezinjve për të mbajtur hapin me Vardarin në garën për titull. Ndryshe, për dallim prej Jeton Beqirit, trajneri i Renovës Qatip Osmani, për ndeshjen e radhës po ballafaqohet me probleme të mëdha, pasi ai nuk do të mund të mbështetet tek dy lojtarët më të mirë, Fisnik Nuhiu dhe Muhamed Useini, të cilët u ndëshkuan me karton të kuq në ndeshjen me Vardarin.
Megjithatë nga radhët e “gjipspunuesve” shprehen optimist dhe premtojnë se do të japin maksimumin për të arritur rezultat pozitiv. “Do të jetë një derbi i madh, derbi ku çdo herë kanë ndodhur befasi. Shkëndija është një skuadër kualitative ku do të tentojë të arrin fitore, mirëpo pikët nga kjo përballje na nevojiten edhe neve. Besoj se me një angazhim maksimal mund t’ia dalim dhe të arrijmë rezultat pozitiv. Normalisht për ne hendikep do të jetë mungesa e kapitenit Fisnik Nuhiu dhe Muhamed Useinit, por Renova ka lojtar kualitativ, që munden të japim maksimumin pa marr parasysh se kush mungon”, deklaroi për KOHA, Bunjamin Shabani.
Ndërkohë, kumanovari në radhët e kuqezinjve Armend Alimi, thotë se presin tre pikë, por është i vetëdishëm se nuk do ta kenë lehtë. “Shkëndija në çdo ndeshje shkon për fitore, por jo gjithmonë gjërat shkojnë ashtu si duam. Tani na pret derbi lokal me Renovën, ndeshje që s’do të jetë e lehtë. Mirëpo, ne shkojmë për fitore dhe do të mundohemi të punojmë maksimalisht për të arritur deri te tre pikët. Në ndeshjen e fundit mendoj se ishim pa fat, pasi dolëm vetëm me një pikë, ndërsa zhvilluam paraqitje shumë të mirë. Të shënosh dy gola dhe të krijosh 5-6 raste të pastra kundër Rabotniçkit nuk është e lehtë, mirëpo ja që në fund nuk dolën gjërat si donim ne. Besoj se tani do të jemi në maksimumin tonë, të tregojmë lojë sa më të mirë, të minimizojmë gabimet në mbrojtje dhe besoj se nëse luajmë me këtë rritëm do të arrijmë t’i gëzohemi fitores”, pohon Armend Alimi.
Ndryshe, me probleme në Kratovë do të udhëtojë edhe skuadra e Shkupit. Siç e dimë trajneri Visar Ganiu gjatë ditës së djeshme dha dorëheqje, ndërsa ekipin në Kratovë do të udhëheq Ardian Nuhiu. Në ekip rikthehet Edis Maliqi, por për shkak të pesë kartonëve të verdhë do të mungojë mbrojtësi Mevlan Adili, ndërsa prej më herët ekipit i mungojnë Husein Demiri dhe Florian Kadriu. Nga radhët e bardhekaltërve janë të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj ndeshje dhe paralajmërojnë luftë të pakompromis për të ardhur deri te rezultati pozitiv.
Ndryshe, java e 17 sjell edhe një përballje interesante, atë mes rivalëve të mëdhenj Pelisterit dhe Vardarit. Skuadra kuqezi në Manastir do të udhëtojë me të vetmin qëllim fitore, por pa tifozët e saj “Komiti”, pasi nga skuadra nikoqire kanë paralajmëruar se nuk kanë kushte adekuate që në stadium ti vendosin tifozët e Vardarit. Siç thamë pikët u nevojiten të dyja skuadrave, dhe çdo kiks do tu kushtojë atyre, pasi rivalët Shkëndija dhe Rabotniçki, do të tentojnë të shfrytëzojnë atë. Derisa, “Romantikët”, pjesë e së cilës janë dy futbollistët shqiptar Suad dhe Emir Sahiti, do të presin skuadrën e Pobedës. Favorit për tre pikët konsiderohet skuadra nikoqire, e cila me mendje do të jetë edhe në përballjen në Manastir, ku shpreson në një kiks të Pelisterit. Të gjitha ndeshjet e javës së 17 në LPFM do të zhvillohen sot (e mërkurë) në ora 13:00.
Dyshet, java e 17
Sileksi – Shkupi
Pelisteri – Vardari
Mak.Gj.P. – Bregallnica
Renova – Shkëndija
Rabotniçki – Pobeda
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.