Tërheqje e platformës sepse është mashtrim zgjedhor dhe vërejtje në lidhje me udhëheqjen e debatit dhe qëndrimit se nuk respektohet Rregullorja ishin diskutimet në pjesën e paradites nga seanca e sotme konstitutive e Kuvendit, vazhdimi i tetë.
Deputetët nga VMRO-DPMNE-ja kërkojnë që LSDM-ha të heqë dorë nga platforma e Tiranës sepse ajo do të duhet të jetë bazë e qeverisë së ardhshme ndaj të cilës, konsiderojnë ata, do të ndodhë ridefinim i shtetit. Xhevat Ademi nga BDI-ja tha se ka ndodhur unifikim i qëndrimeve të subjekteve parlamentare shqiptare, të sublimuara në deklaratën e partive politike shqiptare dhe, siç tha, është shumë e kuptueshme që ai unifikim do të shqetësojë shumë njerëz. Kërkoi nga kolegët të mos merren me deputetët shqiptarë dhe, siç tha, të mos i involvojnë në “këtë cikël publik”.
Antonio Milloshovski nga VRMO-DPMNE-ja, tha se askush nuk e konteston atë që shqiptarët kanë arritur harmonizim për kërkesa të caktuara politike. “Ajo që është kontestuese është sepse një kryetar i partisë politike i cili i ka humbur zgjedhjet pas zgjedhjeve i ka pranuar ato kërkesa me qëllim që të vijë në pushtet. Prandaj flasim për mashtrim pas zgjedhjeve të besimit të votuesve. Gjatë zgjedhjeve Zaev ka folur për pagën mesatare dhe minimale dhe për tarifë të lirë dhe pas zgjedhjeve flasim për shantazh të shtrenjtë, për platformë të shtrenjtë të cilën madje as votuesit e LSDM-së nuk e kanë parë para zgjedhjeve”, tha Milloshovski. Zeqirja Ibrahimi nga Lëvizja BESS tha se nuk do të mund të formohet asnjë qeveri e cila e dëshiron Lëvizjen BESA dhe që nuk pranon zyrtarizim të gjuhës shqipe.
“Ju mund ta merrni BDI-në, si shpesh herë që e keni marrë, por keni iluzione se do të vijë edhe BESA në qeveri me dikë që ka qasje të tillë për gjuhën shqipe”, tha Ibrahimi i cili kërkoi të jenë të kujdesshëm me kualifikimet për gjuhën shqipe. Sipas tij, me zyrtarizimin e gjuhës shqipe do të ndihmohet zhvillimi i shtetit dhe se askush nuk do të humbë asgjë. Aleksandar Kiracoski nga LSDM-ja tha se “tautologji nga gënjeshtrat dhe manipulimet është ajo që këto ditë po ndodh në Kuvend” dhe përgjegjësinë për këtë e kërkoi nga kryesuesi Trajko Veljanoski pse nuk e respekton Rregulloren.
“Tetë ditë asgjë esenciale nuk është punuar. Çelësi i zgjidhjes është te Veljanoski dhe ai e mban tërë përgjegjësinë për atë që po ndodh. Nëse do të punonte sipas Rregullores, 99 për qind të deputetëve do t’iu hiqej e drejta e fjalës. Ne veç më do të përfundonim me këtë pikë. Do të zgjidhnim kryetar të komisionit, do të zgjidhnim madje edhe kryetar të Kuvendit dhe do të debatonin për qeverinë e re”, tha Kiracovski. Veljanoski iu përgjigj se në mënyrë rigoroze punon sipas Rregullores dhe se nuk mund t’ua shkurtojë të drejtën folësve për replika përveç nëse ata vullnetarisht nuk heqin dorë.
Ejup Alimi nga BDI-ja gjithashtu me vërejtje për kohëzgjatjen e seancës konstitutive dhe apeloi për maturi. “Të mos bëhemi fajtorë për bllokimin e sistemit shtetëror. Veç më kemi qeveri teknike, a doni të kemi edhe komuna teknike dhe të kemi shtet teknik”, tha Alimi, sipas të cilit keqpërdoret foltorja. Në lidhje me këtë vërejtje të re, Milloshovski iu përgjigj se askush nuk duhet të kritikojë procedura të cilat partia e tij veç më i ka bërë.