Omer XHAFERI
Shkup, 27 janar – Mbi 80 për qind të rasteve që janë denoncuar në Drejtorinë për mbrojtjen e të dhënave personale gjatë viti 2016, kanë të bëjë me keqpërdorimin e të dhënave personale nëpër rrjetet sociale, respektivisht krijimi i profileve të rrejshme në Fejsbuk, shkruan gazeta KOHA. Këtë njoftim, të premten, para gazetarëve e bëri të ditur drejtori i Drejtorisë për mbrojtjen e të dhënave personale, Goran Trajkovski, i cili mes tjerash shtoi se brenda vitit që e lamë pas janë realizuar gjithsej 307 inspektime mbikëqyrëse për mbrojtjen e të dhënave personale. Duke e shënuar “28 janarin” si Dita evropiane e mbrojtjes së të dhënave personale, nga DMTP e publikuan raportin e punës për viti ne kaluar, ku thuhet se numri i përgjithshëm i inspektimeve, 132, ka qenë me procedurë të mbikëqyrjes së rregullte, 157 të jashtëzakonshme dhe 18 kontrolle tjera. Përderisa numri i parashtresave të dorëzuara nga qytetarët në këtë institucion, siç përmendet në raport, ka qenë 359 ankesa. Nga ana tjetër, në pyetjen e parashtruar nga gazetarët se vallë qytetarët e Maqedonisë, mund të ndihen të sigurt sa i përket mbrojtjes së të dhënave personale, drejtori Trajkovski tha se këtë siguri nuk e japin as agjencitë ndërkombëtare, e më së paku DMTP.
“Nuk mundem të marr guximin të them se të dhënat personale në Maqedoni, janë të siguruara plotësisht, për arsye se bëhet fjalë për një kategori të rrezikuar të informatave në nivel global, duke pasur parasysh rastet me “Vikiliks” dhe “Snouden”, pastaj defektet e kohëpaskohshme në internet hulumtuesin “Google” dhe rrjetet tjera sociale. Lidhur me këtë çështje, vlerësoj se më rëndësishme është preventiva (parandalimi) në drejtim të asaj kur flitet për të drejtën e privatësisë, por çdo e drejtë ngërthen edhe përgjegjësi. Aktivitet tona rreth çështjes së parandalimit, do të jetë apeli drejtuar qytetarëve që t’i sigurojnë në radhë të parë të dhënat personale të tyre dhe privatësinë, respektivisht roli ynë në këtë rast do të jetë vetëm si ndihmës për sigurimin e atyre të dhënave. Pra, sigurimin e plotë të këtyre të dhënave nuk mund ta sigurojë as ne si institucion apo ndonjë organ tjetër ndërkombëtar”, tha drejtori Trajkovski.
Gjatë prezantimit të këtij raportit ishte prezent edhe Avokati i Popullit, Ixhet Memeti, i cili shfrytëzoi rastin dhe apeloi deri te pushteti që të angazhohen më tepër në promovimin e të drejtës apo garancionit kushtetues, kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të dhënave personale. Në komentin e tij për keqpërdorimin e të dhënave personale të qytetarëve në vendin tonë, ai potencoi se puna e tyre në këtë drejtim është e përqendruar në mbrojtjen e të dhënave personale të sektorit publik, me çka kjo është arsyeja, sepse viteve të fundit nuk ka shumë ankesave të dorëzuar për shkeljen e të drejtës së privatësisë. Mirëpo, avokati Memeti, për të dëshmuar bashkëpunimin që e kanë me DMTP, e tregoi një rast i cili ka pasur zgjidhje ligjore, falë intervenimit të tyre.
”Njëra prej ankesave të paktave që kemi pranuar gjatë këtyre vite, që mund ta dallojmë është parashtresa e një të punësuari në një spital të caktuar në vendin tonë, i cili mendonte se punëdhënësi ia ka keqpërdor të dhëna personale pa procedurë paraprake. Këtë rast ne e proceduam në mënyrë sa më të mirë, duke i zbatuar dispozitat e Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, me çka e detyruam spitalin në fjalë me leje të Drejtorisë për mbrojtjen e të dhënave personale, të vazhdoj punën e saj të kontestuar”, tha Ombdusmani Memeti. Ndryshe, në këtë manifestim drejtuesit e DMTP, paralajmëruan se viti 2017 do të jetë një vit aktiv në prag të legjislacionit të ri evropian për sigurimin e të dhënave personale, normë kjo e cila edhe në vendin tonë pritet të hyjë në fuqi në vitin 2018. Për të pasur një ligj komfor konventave evropiane, ata thanë se për miratimin e Ligjit të ri për mbrojtjen e të dhënave personale, do të merret mendimi i sektorit civil, ekspertëve dhe institucioneve tjera relevante në shtet.