Shkup, 23 qershor – Djemtë e seleksionuesit Bllagoja Milevski e presin në atmosferë pozitive ndeshjen me Portugalinë, e fundit në fazën e grupeve në Kampionatin Evropian në Poloni. Teoritikisht gjasat për gjysmëfinale ekzistojnë, edhe pse është e qartë se për këtë do të duhet të arrihet fitore e thellë ndaj portugezëve. Mirëpo nga tabori i verdhekuqve nuk dëshirojnë të preokupohen me këto matematika, ndërsa e tëra që ju intereson është që sot të bëjnë një paraqitje të mirë kundër një përfaqësuese siç është Portugalia.
“Aspak nuk mendojmë në matematikat dhe kombinimet për plasman në gjysmëfinale. Nuk duam që të ngarkohemi me këtë, ne po mendojmë vetëm se si të bëjmë një paraqitje të mirë kundër portugezëve. Dëshirojmë që të luajmë ndeshjen më të mirë në këtë kampionat. Për këtë të gjithë jemi të gatshëm dhe shpresojmë të arrijmë fitoren e parë historike në një eveniment siç është Kampionati Evropian. E dimë se do ta kemi rëndë sepse Portugalia është një përfaqësuese e fortë, njëra prej më të fortave në kampionat. Por, edhe ne do të dëshmojmë se mund të bartemi me secilën përfaqësuese”, deklaroi për portalin “Ekipa”, futbollisti shqiptar Besir Demiri.
Ndryshe, ndeshja Maqedoni – Portugali do të zhvillohet në stadiumin “Mieski” në Gdinj në ora 20.45.