Autoritetet malaziase në vitin 2010 vendosën njëanshëm një tabelë me mbishkrimin “Crna Gora, Welcome”, në zonën neutrale pesëkilometërshe, midis pikave doganore të Kullës dhe Rozhajës. Që nga ajo kohë, vija kufitare me shtetin malazez vazhdon të jetë kontestuese. Janë 80 kilometra gjatësi që nisin prej kufirit Kosovë – Shqipëri – Mali i Zi deri te pika kufitare Kosovë Serbi – Mal i Zi. Pesë vite më vonë dy komisionet shtetërore finalizuan marrëveshjen për shënimin e kufirit mes dy shteteve, pikërisht mbi bazën e tabelës së vendosur nga malazezët. Mbi atë marrëveshje në Vjenë i vunë nënshkrimet ministri i atëhershëm i Jashtëm, tani president, Hashim Thaçi, dhe ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni, shkruan Koha Ditore. Për shënjimin e kufirit nga ana e dy komisioneve shtetërore është trajtuar dokumentacioni kadastral, në të cilin gjendet informacioni për kufijtë e zonave kadastrale, kufijtë komunalë, si dhe harta të ndryshme topografike. Por, sipas ekspertëve, kjo metodologji ia humbi Kosovës rreth 8 mijë hektarë. Derisa Mali i Zi ia dha fuqinë e Marrëveshjes ndërkombëtare, duke e ratifikuar në Parlament, Kosova as pas një viti e gjysmë nuk e ka miratuar marrëveshjen, të cilën megjithatë Qeveria e mbron me ngulm. Për më tepër, Marrëveshja Malin e Zi bashkë me marrëveshjen tjetër për asociacionin e komunave serbe u bën shkaktare që vendi të futet në një krizë të thellë politike, me rrezikun e shpërthimit të trazirave. Dallimet ekstremisht të kundërta mes qeverisë dhe opozitës kanë rrezikuar ta çojnë vendin në përplasjen më të madhe që nga Shpallja e Pavarësisë. Gjuha e ashpër mes Qeverisë dhe opozitës, degradoi me hedhjen e vezëve dhe gazit lotsjellës, mjete këto të cilat deputetët i futën brenda Kuvendit, në përpjekje për ta penguar përligjjen e marrëveshjeve. Vetëm pak minuta pasi kishte nisur raportimin para deputetëve të Kuvendit për marrëveshjet e Brukselit, kryeministri Isa Mustafa ishte përballur me vezët e opozitës të cilat pamundësuan mbajtjen e disa seancave rresht. Palët vazhdojnë të mbeten të barrikaduara në pozicionet e deklaruara prej një viti e gjysmë.